Edi Rama: Pse jam sot me Mero Bazen
Nga Edi Rama
Mero Baze nuk është miku im. Nuk është as i njohuri im. Mero Baze është një gazetar që vijimësisht ka cenuar pa të drejtë, për shumë vite me radhë, plot njerëz, kundërshtarë të hapur apo të hamendësuar të Sali Berishës në politikë, në media e në shoqërinë civile. Ndër ta shpeshherë nuk më ka kursyer as mua vetë, madje as familjen time. Mero Baze është botuesi i një gazete që për një kohë të gjatë ka pasur një politikë editoriale në funksion të interesave politike e personale të Sali Berishës. Shumëkush beson se Sali Berisha nuk do të ishte ai që është pa Mero Bazen. Mero Baze është sot viktima shembullore e mbrapshtisë politike që ka frymëzuar, ushqyer e mbështetur edhe vetë për vite me radhë. Gazeta “Tema” është sot shënjestra e pushkës politike që Mero Baze ka mbushur për vite me radhë për të qëlluar mbi krijesa mediatike të shpallura armiqësore nga Sali Berisha. Por liria dhe e drejta e Mero Bazes për ta thënë lirisht atë që mendon janë liria dhe e drejta e gjithsecilit prej nesh, prandaj unë jam sot në krah të gazetarit dhe botuesit që kurrë s'ka qenë në krahun tim. Gazeta “Tema” është sot e dhunuar nga ushtrimi abuziv e i paligjshëm i forcës së shtetit prej një kryeministri që detyron policinë të veprojë në kundërshtim me vendimin e gjykatës, prandaj ne jemi sot në krah të gazetës “Tema”, që asnjëherë s'ka qenë në krahun tonë. Botuesi i gazetës “Tema” ka një kontratë të rregullt me shtetin për të ushtruar aktivitetin e tij në mjediset e një godine shtetërore, kurse kryeministri Sali Berisha thotë pa pikë turpi se një media që kundërshton qeverinë duhet të dalë nga sqetulla e saj dhe pa pikë turpi e nxjerr atë jashtë me polici duke harruar së pari që pronat e shtetit nuk janë pronat e qeverisë, e as qeveria nuk është prona e kryeministrit. Së dyti, një kontratë e shtetit me një privat nuk prishet me policë të kequrdhëruar, po me gjykatës të pavarur. Ne jemi sot në krah të botuesit të gazetës “Tema” sepse besojmë që pronat e shtetit janë të publikut, jo të pushtetit; se qeveria është e qytetarëve, jo e pushtetarëve; se policia është e shtetit, jo e kryeministrit dhe se qytetari e gazetari Mero Baze dhe politikani e kryetari i qeverisë, Sali Berisha, janë njësoj të barabartë përpara ligjit e përpara gjykatësit. Unë i bëj apel kryeministrit Sali Berisha të tërhiqet nga rruga e dhunshme policore e prishjes së njëanshme të kontratës, që botuesi i gazetës “Tema” ka me shtetin për të ushtruar aktivitetin e tij në mjediset e një godine shtetërore dhe të respektojë vendimin e gjykatës për të mos bërë asnjë veprim deri në gjykimin përfundimtar të çështjes. Unë i bëj apel drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të mos lejojë futjen e policisë në një konflikt të qartë politik, në kundërshtim të plotë me ligjin, që kryeministri i Shqipërisë ka hapur me botuesin e me redaksinë e një gazete ku Policia e Shtetit nuk ka asnjë të drejtë të hyjë a të ndërhyjë pa vendim gjykate.
Unë i bëj apel Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës që të çojë përpara ligjit urdhëruesit e rrethimit policor të redaksisë së gazetës “Tema” dhe të mos lejojë që pushteti ekzekutiv të përdorë paligjshmërisht Policinë e Shtetit, duke rrëzuar me forcën e verbër të dhunës pushtetin gjyqësor në këtë episod shqetësues të radhës, ku parimet kushtetuese marrin një tjetër goditje nga politika e vjetër antidemokratike e kryeministrit Sali Berisha.
Unë i bëj apel Bashkimit Europian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që ta marrin shumë seriozisht këtë shfaqje brutale të dhunës shtetërore mbi botuesin dhe redaksinë e një gazete, të cilët janë forcërisht të detyruar të mos hyjnë në mjediset e tyre të punës, pavarësisht se disponojnë një vendim gjykate që e ndalon qeverinë e policinë të bëjnë atë që po bëjnë prej disa ditësh. E së fundi, duke i dalë krah Mero Bazes e gazetës “Tema”, dua të kujtoj sot shprehjen e famshme të Volterit: "Unë jam kundër asaj që ti thua, po do të bëj gjithçka mundem që ti gjithnjë të kesh mundësinë ta thuash". Dua të siguroj çdo botues e gazetar se, me përfundimin e këtij mandati të fundit të Sali Berishës do të mbarojnë, njëherë e mirë, edhe këto episode të trishtueshme të sjelljes antidemokratike të pushtetit me mediat në Shqipëri.
13 Janar 2009