Rama: Prokuroria të ndërhyjë për shkeljet flagrante me gazetën “Tema”
Habjon Hasani
Tiranë - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar dje ndërhyrjen e zyrave ligjzbatuese për të ndalur dhunimin që organet qeveritare po i bëjnë gazetës “Tema” dhe mosrespektimin e kontratës ligjore që kjo gazetë ka me Ministrinë e Ekonomisë. “Unë i bëj apel Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës që të çojë përpara ligjit urdhëruesit e rrethimit policor të redaksisë së gazetës ‘Tema’ dhe të mos lejojë që pushteti ekzekutiv të përdorë paligjshmërisht Policinë e Shtetit, duke rrëzuar me forcën e verbër të dhunës pushtetin gjyqësor në këtë episod shqetësues të radhës, ku parimet kushtetuese marrin një tjetër goditje nga politika e vjetër antidemokratike e kryeministrit Sali Berisha”, – është shprehur dje Rama. Sipas tij, gazeta “Tema” është sot e dhunuar nga ushtrimi abuziv e i paligjshëm i forcës së shtetit prej një kryeministri që e detyron policinë të veprojë në kundërshtim me vendimin e gjykatës. “Ne jemi në krah të gazetës ‘Tema’, që asnjëherë s’ka qenë në krahun tonë”, - vijoi kreu i PS-së, Edi Rama.
Reagimi
“Botuesi i gazetës ‘Tema’ ka një kontratë të rregullt me shtetin për të ushtruar aktivitetin e tij në mjediset e një godine shtetërore, kurse kryeministri Sali Berisha thotë pa pikë turpi se një media që kundërshton qeverinë duhet të dalë nga sqetulla e saj dhe pa pikë turpi e nxjerr atë jashtë me polici duke harruar, së pari, që pronat e shtetit nuk janë pronat e qeverisë e as qeveria nuk është prona e kryeministrit. Së dyti, një kontratë e shtetit me një privat nuk prishet me policë të kequrdhëruar, po me gjykatës të pavarur”, - ka deklaruar dje kreu i selisë rozë, duke sqaruar më tej se Partia Socialiste po gjendet në krah të botuesit të gazetës “Tema” sepse beson se pronat e shtetit janë të publikut e jo të pushtetit; se qeveria është e qytetarëve, jo e pushtetarëve; se policia është e shtetit, jo e kryeministrit dhe se, sipas PS-së, qytetari e gazetari Mero Baze dhe politikani e kryetari i qeverisë, Sali Berisha, janë njësoj të barabartë përpara ligjit e përpara gjykatësit. “Unë i bëj apel kryeministrit Sali Berisha të tërhiqet nga rruga e dhunshme policore e prishjes së njëanshme të kontratës që botuesi i gazetës ‘Tema’ ka me shtetin për të ushtruar aktivitetin e tij në mjediset e një godine shtetërore, dhe të respektojë vendimin e gjykatës për të mos bërë asnjë veprim deri në gjykimin përfundimtar të çështjes”, - theksoi Rama. Më tej kreu i PS-së ka sqaruar dhe arsyet se pse opozita po reagon në mbrojtje të një gazetari që për vite është njohur si një oponent i fortë i saj duke u shprehur: “Gazeta ‘Tema’ është sot shënjestra e pushkës politike që Mero Baze ka mbushur për vite me radhë për të qëlluar mbi krijesa mediatike të shpallura armiqësore nga Sali Berisha. Por liria dhe e drejta e Mero Bazes për ta thënë lirisht atë që mendon janë liria dhe e drejta e gjithsecilit prej nesh, prandaj unë jam sot në krah të gazetarit dhe botuesit që kurrë s'ka qenë në krahun tim”.
Veprimi
Kreu i PS-së i bëri apel drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të mos lejojë futjen e policisë në një konflikt të qartë politik, në kundërshtim të plotë me ligjin që kryeministri i Shqipërisë ka hapur me botuesin e me redaksinë e një gazete ku Policia e Shtetit nuk ka asnjë të drejtë të hyjë a të ndërhyjë pa vendim gjykate. “Unë i bëj apel Bashkimit Europian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që ta marrin shumë seriozisht këtë shfaqje brutale të dhunës shtetërore mbi botuesin dhe redaksinë e një gazete, të cilët janë forcërisht të detyruar të mos hyjnë në mjediset e tyre të punës, pavarësisht se disponojnë një vendim gjykate që e ndalon qeverinë e policinë të bëjnë atë që po bëjnë prej disa ditësh. E së fundi, duke i dalë krah Mero Bazes e gazetës ‘Tema’, dua të kujtoj sot shprehjen e famshme të Volterit: ‘Unë jam kundër asaj që ti thua, po do të bëj gjithçka mundem që ti gjithnjë të kesh mundësinë ta thuash’ dhe dua të siguroj çdo botues e gazetar se, me përfundimin e këtij mandati të fundit të Sali Berishës do të mbarojnë, njëherë e mirë, edhe këto episode të trishtueshme të sjelljes antidemokratike të pushtetit me mediat në Shqipëri”, - konkludoi Rama.
Baze paditi në Prokurori policët që bllokuan redaksinë e gazetës “Tema”
Botuesi i gazetës “Tema” ka dorëzuar tri ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës një padi penale në ngarkim të drejtorit të Ruajtjes së Objekteve, Ahmet Matoshi. Sipas Bazes, Matoshi pengoi mesditën e së premtes zbatimin e vendimit të Gjyqësorit duke kryer kështu një vepër penale. Botuesi i Temës tha se gjykata i ka dhënë të drejtë gazetës të qëndrojë në ambientin aktual, por vendimi nuk u zbatua nga drejtori i Ruajtjes së Objekteve. Baze tha se gazetarët kanë punuar dje në rrugë me laptop dhe se janë ndihmuar nga redaksitë e gazetave të tjera për të printuar dhe publikuar gazetën e ditës së sotme. Baze tha se bllokimi i gazetës është vepër e strukturave politike, por “Tema” do të vazhdojë betejën e saj të drejtë. Mesditën e së premtes, forcat policore të monitoruara nga kamerat e shumë mediave refuzuan të pranonin respektimin e vendimit gjyqësor. Mero Baze, drejtor dhe pronar i gazetës “Tema”, është shprehur gjatë protestës së të premtes para kordonit policor se redaksia e tij me ndërtesën ku do të prodhohen kartat e identitetit janë në distancë me njëra-tjetrën. Sipas tij, ky është thjesht një justifikim i qeverisë për të marrë këto masa, që ndër të tjera është edhe prishja e një marrëveshjeje mes kompanisë së tij mediatike dhe qeverisë për ta marrë këtë ambient me qira për disa vite.
Policia bllokoi të premten redaksinë e gazetës
Një kordon me forca policore ndaluan mesditën e së premtes gazetarët e gazetës “Tema” të hyjnë në ambientet e brendshme të redaksisë, pasi objekti ku ndodhet gazeta quhet objekt strategjik. Është quajtur kështu pasi, sipas qeverisë, në këto ambiente do të prodhohen kartat e identitetit dhe për këtë shkak policia duhet të garantojë sigurinë e procesit të saponisur. Drejtori i gazetës “Tema”, Mero Baze, si dhe stafi i kësaj gazete kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë dhe e kanë cilësuar atë si një vendim politik dhe një hakmarrje e kryeministrit Berisha ndaj gazetës, e cila ka qenë shumë kritike ndaj tij. Protesta e stafit të gazetës “Tema” është mbështetur dje edhe nga dhjetëra gazetarë të tjerë të medias së shkruar dhe vizive, të cilët kanë vlerësuar se pas këtij akti është qëndrimi hakmarrës i kryeministrit Sali Berisha. “Zotëri, të lutem shikoje këtë vendim gjykate! Mua Kushtetuta më garanton të punoj i qetë në pronën time, pasi Gjykata ma ka njohur këtë të drejtë. As ju, as eprorët tuaj, nuk mundeni të dilni mbi gjykatat”, - i është shprehur Baze përfaqësuesit të forcave policore pranë redaksisë. Nga ana e tij, përfaqësuesi i togës policore ka deklaruar se duhej që këtë vendim gjykate ta paraqiste te eprorët e tij, pasi ai vetë kishte urdhër të prerë për të mos lejuar hyrjen e stafit të gazetës në objekt.
13 Janar 2009