Zgjedhjet, strategjitë elektorale të PS-së dhe të LSI-së
Shaban Sulçe
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim konkretizojnë strategjitë e tyre elektorale përsa i përket organizimit dhe përgatitjeve të tyre në fushatën zgjedhore. Dy partitë kryesore të opozitës, të cilat do të kandidojnë në koalicione më vete, tashmë kanë ndezur motorët e fushatës zgjedhore duke filluar me organizimin elektoral të të gjitha strukturave të tyre. Një organizim i tillë bëhet me qëllimin e vetëm për të realizuar një fushatë sa më të mirë zgjedhore, por sigurisht për të pasur një rezultat sa më të suksesshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku si Partia Socialiste, ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, do të konkurrojnë së bashku me koalicionet e tyre me ambicien për të qenë forca fituese e tyre.
Partia Socialiste
Në mbledhjen më të fundit të saj, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste hartoi strategjinë elektorale, e cila përbëhet nga tri faza. Faza e parë është ajo e kthimit të strukturave dhe organizatave socialiste me profil elektoral. Faza e dytë është puna në terren me zgjedhësit, ndërkohë që faza e tretë është përzgjedhja e kandidatëve. Kryesia e PS-së ka mandatuar gjithashtu edhe 12 anëtarë të saj si të deleguar në të 12-të qarqet e vendit për të ndjekur nga afër përgatitjet e strukturave në qarqe në prag të vitit elektoral. Ata do të jenë përgjegjësit kryesorë për mbarëvajtjen e fushatës dhe rezultatet që do të arrihen nga Partia Socialiste në rajonin respektiv. Të deleguarit e Kryesisë së Partisë Socialiste janë si më poshtë: Valentina Leskaj (Elbasan), Pandeli Majko (Dibër), Namik Dokle (Durrës), Shpëtim Idrizi (Tiranë), Erion Braçe (Berat), Gramoz Ruçi (Gjirokastër), Lindita Nikolla (Lezhë), Ben Blushi (Korçë), Ermelinda Meksi (Fier), Mimi Kodheli (Kukës), Mimoza Hafizi (Shkodër) dhe Arben Isaraj në qarkun e Shkodrës. Gjatë këtyre ditëve, selia rozë është njohur me rezultatet e para të procesit të organizimit të saj elektoral. Prej disa ditësh, në Partinë Socialiste është raportuar për ecurinë e organizimit elektoral të strukturave socialiste në të 12-të qarqet e vendit. Nga burimet në Partinë Socialiste bëhet e ditur se të dymbëdhjetë të deleguarit e Kryesisë së selisë rozë në të 12-të qarqet e vendit kanë raportuar për arritjet dhe problemet e ndeshura gjatë këtij procesi pranë Shtabit Elektoral të Partisë Socialiste, që drejtohet nga kryetari i Asamblesë së saj, Gramoz Ruçi.
LSI
Që nga mbledhja e fundit të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, të zhvilluar të shtunën e kaluar, LSI-ja ka ndezur zyrtarisht motorët e fushatës. Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së vendosi kthimin e Kryesisë qendrore të LSI-së në shtabin qendror të fushatës. I njëjti vendim është marrë edhe për kryesitë e LSI-së në çdo rreth dhe njësi vendore, të cilat do të kthehen në shtabet vendore të fushatës elektorale. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Kombëtar të LSI-së u deklarua se në muajin mars do të përcaktohen zyrtarisht kandidatët për deputetë, do të lançohen idetë kryesore të programit elektoral dhe qeverisës të LSI-së.
Njëkohësisht, për t’i dhënë një impuls të ri anës organizative në kushtet e fushatës elektorale, Komiteti Drejtues Kombëtar vendosi që kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, të emërohet njëkohësisht nënkryetare e LSI-së, sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha, të emërohet njëkohësisht zëvendëssekretar i Përgjithshëm i LSI-së, anëtarja e Kryesisë së LSI-së, Luzhiana Abazi, të emërohet njëkohësisht zëvendëssekretare e Përgjithshme e LSI-së, si dhe Nora Malaj të emërohet sekretare e Shanseve të Barabarta. Lëvizja Socialiste për Integrim nisi përgatitjet e saj parazgjedhore që në muajin korrik të vitit të kaluar, kur përcaktoi 12 sekretarët rajonalë, të cilët do të ndiqnin nga afër dhe do të kryesonin përgatitjet paraelektorale të strukturave të LSI-së në 12 qarqet e vendit.
13 Janar 2009