Kandidatët e PS-së vendosin kriteret dhe sondazhet
Kriteret e vendosura dhe rezultati i sondazheve me anëtarësinë do të kenë një efekt deciviz në përcaktimin e emrave për kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi disa muaj më parë se emrat për kandidatë për deputetë do të përcaktohen vetëm 45 ditë përpara fillimit të fushatës elektorale, në selinë rozë po i kushtohet një rëndësi përcaktimit të kritereve që do të vendosen për personat që tentojnë të kandidojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e këtij viti. Por po aq të rëndësishme në përcaktimin e emrave për kandidatë do të jenë edhe rezultatet e sondazheve me anëtarësinë socialiste, e cila do të japë pëlqimin e saj për emrat që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në garën parlamentare. Me sa duket selia rozë ka programuar të përdorë të njëjtën praktikë që bëri edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar partie para dy vjetësh, duke kërkuar vlerësimin e elektoratit për secilin emër para se të bëhet renditja e tyre në listat shumemërore.
LSI, kandidatët shpallen në mars, me parimin “Një anëtar, një votë”
Lëvizja Socialiste për Integrim do të shpallë zyrtarisht në muajin mars kandidatët e saj për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një vendim i tillë u bë i ditur në mbledhjen e të shtunës së KDK-së së LSI-së nga lideri i saj Ilir Meta. Meta tha se kandidatët e LSI-së në zgjedhje do të shpallen në muajin mars, pasi të jenë zgjedhur nga anëtarësia, sipas parimit “një anëtar, një votë”. Kreu i LSI-së theksoi gjithashtu se në muajin mars do të zyrtarizohet koalicioni, që do të udhëheqë LSI-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare si dhe programi i saj qeverisës. “Po kështu, ne sot kërkojmë si kryesi nga ju si Komitet Drejtues Kombëtar mandatin për të ndërtuar dhe formalizuar koalicionin fitues të zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që brenda muajit mars të formalizohet gjithçka që ka të bëjë me koalicionin, por edhe me programin, i cili do të jetë i përbashkët. Thelbi i programit tonë është rritja e mirëqenies për çdo qytetar shqiptar, e cila nis në radhë të parë nga lufta me program konkret kundër varfërisë dhe kundër monopoleve, që janë një nga arsyet themelore të rritjes së kësaj varfërie dhe polarizimit të frikshëm social në vend. Dhe, në këtë drejtim, në programin tonë në luftën kundër varfërisë, e cila prek në mënyrë tepër të rëndë dhe stresante gati 1/3 e shqiptarëve sot, pra në themel të këtij programi të luftës kundër varfërisë, do të jenë bonusi jetik dhe punësimi jetik”, - tha Meta.
13 Janar 2009