Minibashkitë, problemet në aparatura pengojnë procesin e aplikimit
Emanuela Sako
Procesi i aplikimit për kartat e identitetit ka nisur me vonesa dhe probleme të shumta teknike. Në shumë njësi bashkiake puna është pezulluar për disa orë, ndërsa qytetarët kanë krijuar radhë të gjata. Shkak për këtë situatë janë bërë problemet me kompjuterat dhe koordinimi i aparaturës për marrjen e shenjës së gishtërinjve me regjistrimin në kompjuter. Ky problem ka qenë evident në të gjitha njësitë vendore të kryeqytetit. Burime nga njësitë bashkiake bëjnë të ditur se procesi i aplikimit ka nisur që në orën 8:00 të ditës së djeshme dhe ka vazhduar deri në orën 16:00 të orarit zyrtar të punës në këto njësi. Zyrat e gjendjeve civile janë hasur me këmbënguljen e qytetarëve për të aplikuar për pajisjen në kohë me kartat e identitetit.
Problemet
Një pjesë e njësive vendore nuk kanë mundur të fillojnë nga puna që në orën 8:00 të mëngjesit, megjithëse sportelet kanë qëndruar të hapura. Pengesë për ecurinë e punës janë bërë problemet me komjuterat, që nuk kanë bërë të mundur regjistrimin e shenjave të gishtërinjve të qytetarëve që kërkonin të aplikonin. Kështu, në Njësinë Bashkiake Nr. 1 ka pasur probleme që në fillim të hapjes së sporteleve, për pasojë puna është pezulluar për disa orë. Burime nga kjo njësi theksuan se problemet u zgjidhën dhe puna vazhdoi normalisht, ndërsa aplikuan rreth 50 qytetarë të kësaj njësie. Në Njësinë Bashkiake Nr. 11 janë hasur po të njëjtat probleme dhe për shkak të këtyre vonesave mundën të aplikonin vetëm 30 qytetarë. E njëjta situatë është vërejtur në Njësitë 8 dhe 9, ku dyndjet në njerëz kanë qenë tepër të mëdha dhe procesi i aplikimit është ndërprerë disa herë. Kjo, pasi koordinimi i aparaturës së regjistrimit të shenjës së gishtërinjve dhe kompjuterit ka shfaqur probleme të herëpashershme. Ndërsa në Njësinë Bashkiake Nr. 2, një qytetari i është dashur të qëndrojë një orë në zyrë, pasi aparatura nuk regjistronte shenjat e gishtërinjve. Të njëjtat probleme janë hasur në të gjitha njësitë vendore, duke përmendur se dita e parë e aplikimit për kartat e identitetit nuk ka kaluar pa probleme.
Aplikimi
Punonjësit e Zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Bashkiake Nr. 9 sqarojnë se një pjesë e qytetarëve kanë pasur probleme me mosnjohjen e procedurave për zhvillimin e procesit. Shumë prej tyre janë drejtuar për të pyetur për mënyrën e aplikimit, ku iu është dashur që të drejtoheshin në fillim pranë zyrës postare.
Hapi i parë për të marrë kartën e identitetit është pagesa e
tarifës prej 12 mijë lekësh të vjetra pranë çdo zyre postare për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike. Pagesa mund të bëhet edhe pranë institucioneve ku qytetarët
punojnë, nga ku duhet të marrin një kupon që dëshmon kryerjen
e pagesës. Pas këtij veprimi, qytetari duhet të shkojë në njësinë
bashkiake ku është regjistruar, së bashku me kuponin e derdhjes së lekëve si dhe një dokument identifikimi që mund të jetë pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti,
apo edhe fletëhyrje për në institucione shtetërore. Të dhënat
gjenerohen direkt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile;
operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i
kontrollojnë ato dhe, nëse i gjejnë në rregull, e printojnë
formularin e aplikimit që firmoset nga të tre personat:
qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i
regjistrimit. Nëse jo, qytetari shkon në Gjendjen Civile për
të korrigjuar gabimet që mund të ekzistojnë. Në momentin që të
dhënat janë korrekte, punonjësi do t’i marrë shenjat e
gishtave qytetarit, i cili do të dalë në fotografi dhe do të japë edhe nënshkrimin elektronik.
13 Janar 2009