Presidenti nis konsultimin me ish-të përndjekurit për ligjin e dosjeve
Presidenti i Republikës ka nisur dje procesin e konsultimeve me grupet e interesit për ligjin e dosjeve. Gjatë ditës së djeshme kreu i shtetit ka pritur përfaqësues të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë: Kryetarin e kësaj shoqate, Adem Allçi, sekretarin e Përgjithshëm, Besim Ndregjoni dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, Tomor Aliko. Një takim i tillë bëhet në limitet e afatit që ka në dispozicion presidenti Topi për të dekretuar ose jo ligjin e miratuar nga deputetët demokratë në Kuvend, për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit gjatë regjimit komunist.
Gjatë takimit të djeshëm përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë i paraqitën kryetarit të shtetit qëndrimin e dy shoqatave lidhur me ligjin për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve. Ata shprehën rezervat e tyre lidhur me nenin 4 të ligjit, i cili sipas tyre ka përjashtuar nga papajtueshmëritë e funksioneve publike kategori të tjera funksionarësh të lartë si ministrat, drejtuesit e institucioneve të tjera të larta politike apo shtetërore, sekretarët e partisë dhe zyrtarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror. Drejtuesit e dy shoqatave u shprehën për nevojën e zgjerimit të hapësirës së ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të administratës publike edhe për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja. Presidenti Topi, pasi i dëgjoi me shumë vëmendje shqetësimet e drejtuesve të dy shoqatave, i falënderoi për mendimet dhe i siguroi për mbështetjen dhe përkrahjen e tij.
Kandidatura e Laukës mbërrin në tryezën e Presidentit
Pas gati një viti mungesë, qeveria ka dërguar dje në Presidencë kandidaturën e Islam Laukës për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë. Një vendim i tillë është marrë fill pas vizitës që kreu i shtetit zhvilloi në Prishtinë dhe pas kritikave drejtuar qeverisë për mungesën e ambasadorit shqiptar në Kosovë. Disa muaj më parë qeveria miratoi emrin e Laukës për postin e ambasadorit shqiptar në Kosovë, por pas diskutimit në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme, emri i Laukës u tërhoq. Pra kandidatura e tij nuk u dërgua në Presidencë për të marrë dekretimin. Pas gati një viti, qeveria ka vendosur ta dërgojë këtë kandidaturë në zyrën e Topit.
Ismal Lauka është i njohur për një karrierë të pasur diplomatike dhe vlerësohet si njohës i mirë i çështjes së Kosovës. Lauka në CV-në e tij ka gjashtë kualifikime, si doktor i shkencave politike, grada personale diplomatike “Këshilltar”, kurs diplomacie, kurs filozofie dhe pjesëmarrës në shumë konferenca. Ai mban edhe detyrën e drejtorit të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Histori-Filologji, për rusisht. Ka një karrierë të pasur si diplomat, duke nisur që nga puna Referent në Drejtorinë e Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe më pas në detyrën e Përgjegjësit të Sektorit. Që nga janari i vitit 2007, Islam Lauka mban postin e kryetarit të Bordit Drejtues pranë Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
13 Janar 2009