E Diel, 1 Nëntor 2026

Baraj: “Qeveria dhe Xhuveli po shkatërrojnë mjedisin”

Sekretari i Mjedisit në Partinë Socialiste, Besnik Baraj, ka akuzuar qeverinë “Berisha” dhe ministrin e Mjedisit, Lufter Xhuveli, si shkaktarë të ndotjes dhe shkatërrimit mjedisor në Shqipëri. Në një konferencë për shtyp Baraj tha se qeverisë aktuale i mungojnë politikat mjedisore. “Investimi propagandistik që kryhet për të kamufluar problematikën e rëndë mjedisore, si dhe degradimin e burimeve natyrore, është komik dhe njëkohësisht tragjik. Gënjeshtra që ofrohet nuk është disi e fshehur si niveli i inflacionit, apo i papunësisë, por është e dukshme, e lexueshme nga të gjithë”, - tha Baraj. Ai akuzoi ministrin Xhuveli për paaftësi në menaxhimin e ndotjes së mjedisit. “Komizmi i pohimit të Xhuvelit të shkakton të qeshura që shpejt kthehen në hidhërim. Do të donim të dinim se cila politikë qeveritare në Shqipëri funksionoi duke reduktuar ndotësit e ajrit? Cila politikë zvogëloi ndotjen dhe shkatërrimin e bregdetit, lumenjve, liqeneve apo faunës? Cila politikë ndaloi prerjen e pyjeve? Cila politikë ndaloi erozionin aq problematik në Shqipëri?”, - tha Baraj.

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›