E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: ”Nano-Berisha, ku ngjajnë dhe ku ndryshojnë”

Intervistë e ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, dhënë në Ora News
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, në një intervistë për gazetarin Alfred Peza, ka zbardhur karrierën e plotë të tij, momentet kyçe si dhe marrëdhëniet me liderët kryesorë të politikës. Moisiu flet për marrëdhënien që ka pasur me dy kryeministrat, Fatos Nano dhe Sali Berisha. Ish-presidenti komenton momentet më të vështira të jetës së tij gjatë mandatit në Presidencë. Njëkohësisht Alfred Moisiu zbardh projektet për të ardhmen, mundësinë për t’u rikthyer në politikë si dhe hedhja e kujtimeve dhe takimeve misterioze në letër.

Zoti Moisiu, që nga koha që ju ia dorëzuat stafetën zotit Topi në krye të vendit, më 24 korrik 2007, keni qenë jo shumë i pranishëm në media me opinionet dhe deklaratat tuaja. Pse keni zgjedhur këtë rrugë?
Sigurisht, nuk është se e kam zgjedhur unë këtë rrugë, por njeriu ka nevojë për një qetësi pas një periudhe intensive 5-vjeçare dhe për një relaks që është i domosdoshëm për çdo njeri. Megjithatë, kohë pas kohe unë u jam përgjigjur kërkesave të medias, jo vazhdimisht dhe kam pasur disa probleme pune për t’u përqendruar në disa çështje. Kam punuar, kam pasur disa aktivitete ndërkombëtare. Kështu që kjo ka qenë edhe arsyeja, absolutisht asnjë arsye tjetër.
Kë konsideroni si fitoren më të madhe të Presidencës suaj?
Gjatë mandatit 5-vjeçar ka pasur shumë evenimente të ndryshme. Në radhë të parë unë u përpoqa njëherë të mbaja gjallë detantën e krijuar me rastin e zgjedhjes sime me konsensus. Por atë e mbaja gjallë aq sa mundja ta mbaja. Sepse thashë që jo çdo gjë varet nga presidenti dhe sigurisht në radhë të parë unë arrita që disa herë të ul forcat politike parlamentare në tryezë të përbashkët, qoftë për problemin e pronave, qoftë për problemin e të përndjekurve, qoftë për problemin e sistemit zgjedhor. Ajo që të gjithë e mbajnë mend, të janarit të 2007-s, ku unë i mblodha forcat politike dhe i mbajta gati 24 orë në Presidencë për të punuar, sigurisht, më shumë përdora metodën që përdorin amerikanët, kur erdhi puna e takimit të serbëve-boshnjakëve.
Ashtu siç përdoren në Vatikan për të zgjedhur Papën...?
Nuk ishte ky qëllimi. Në fakt është procesi që ka rrezikshmëri, se po t’i shpërndash, hajde t’i mbledhësh dhe krijohen mendime të reja, dalin përditë. Kështu që situata atëherë nuk ishte shumë e mirë, ishte kritike, pasi ishte në lojë edhe prestigji i vendit. Jemi shtet, apo nuk jemi shtet? Pasi mund të diskreditoheshim para gjithë botës dhe para opinionit publik të brendshëm. Nuk bëhej fjalë nëse jemi për t’u pranuar në NATO apo nuk jemi për t’u pranuar në NATO. Unë bëra edhe ato lëshimet e mia, dorëhoqa dekretin e parë dhe nxora dekretin e dytë, që nuk ka qenë në praktikën e pranueshme.
Por ishte në praktikën e politikës...
Por ishte një gjë madhore, që unë isha gati të bëja çdo sakrificë për ta zgjidhur atë punë. E thashë këtë sepse ka pasur shumë komente në atë kohë, jo pse presidenti kështu dhe pse ashtu.
Gjithsesi, në atë bilancin e 5 viteve ky moment konsiderohet një nga sukseset tuaja?
Po. Edhe njëra që nuk duhet harruar, mendoj unë, në 2005-n, pas zgjedhjeve, që u krijua një vakuum gati dy muaj, që nuk dilnin rezultatet e zgjedhjeve dhe sigurisht, sipas Kushtetutës, qeveria e re, qeveria e shkuar, duhet të ushtronte detyrën ??????????????????????????????????????sa herr, të kufizuar sa herë kuptohet. Praktikisht nuk e bëri këtë punë, ose bëri shumë pak dhe unë isha i detyruar që të isha thjesht në rolin e presidentit, por edhe në një farë roli nxitës që dikasteret kryesore, siç është Financa, siç është Ministria e Brendshme, disa dikastere shumë të rëndësishme që të ishin në detyrë.
Si u ndjetë kur kryeministri në atë kohë u largua nga vendi?
Për këtë nuk është nevoja të përflitet. Por unë mund të them se patëm një kalim tranzicioni paqësor. Ishte hera e parë që bëhej një tranzicion paqësor, pavarësisht se ishte e zgjatur kjo periudha, por tranzicioni ishte paqësor kur pushteti kaloi nga njëri krah në tjetrin. Kjo ishte një kënaqësi për mua, përveçse një detyrim, dhe kjo i tregoi edhe botës që shqiptarët janë në gjendje të bëjnë ato tranzicionet demokratike sipas Kushtetutës dhe sipas ligjeve që kanë. Pasi në të kaluarën ka pasur shembuj të tjerë.
Sigurisht, ishte edhe një moment i pjekurisë së demokracisë në Shqipëri. Kush ka qenë momenti më i vështirë që ju keni pasur gjatë viteve si president?
Ruajtja e detantës ishte jo e lehtë. Politika jonë ka qenë e brishtë gjithë kohës. Ka qenë, siç thashë, tensioni i 2005-s. Ka qenë zgjidhja e krizës së janarit 2007, zgjedhjet lokale dhe sigurisht zgjidhja e çështjes së prokurorit të Përgjithshëm, gjithashtu ka qenë një problem jo i lehtë, sepse kishte dy alternativa: ose të ruaja Kushtetutën, ose duhet të hyja në acarim të mëtejshëm me maxhorancën. Unë zgjodha atë që është më e madhe dhe më e mirë të interesave të kombit, të zbatoja Kushtetutën.
A jeni penduar që nuk e shkarkuat prokurorin e Përgjithshëm?
Jo, këtu nuk ka vend për t’u penduar, pasi ky vendim u mor për një kohë shumë të gjatë. Unë analizova me shumë përgjegjësi, si relacionin e maxhorancës që kërkonin shkarkim, ashtu edhe reaksionin e opozitës dhe dokumentet që kishte dërguar Prokuroria. Në të njëjtën kohë u konsultova me grupe juristësh. Unë kam pasur një grup që ka qenë vazhdimisht kontribuues për të më mbështetur dhe për të më sugjeruar në marrjen e vendimeve kardinale dhe përveç kësaj pata konsulta edhe me juristë ndërkombëtarë. Në sajë të përfundimit të gjithë kësaj pune unë mora atë vendim që mora. Unë nuk mora parasysh as koston personale. Pasi për mua mbi gjithçka qëndrojnë interesat e Shqipërisë, jo tani, por gjithë jetën time.
Mos ishte ky momenti që ishte presioni më i madh politik ndaj jush?
Sigurisht, ka qenë presioni, ka qenë shumë i madh madje, mënyra jo shumë të pranueshme në një vend demokratik, të cilat dihen, janë të njohura nga opinioni publik. Megjithatë, sikurse thashë, për mua nuk kishte rëndësi asnjë presion, asnjë kosto, për mua kishte rëndësi të bëja një punë që t’i vlente shtetit shqiptar dhe shpresoj që kjo punë nuk ka vlejtur thjesht për vendimin që mora. Por shpresoj që të ketë vlejtur dhe do të vlejë sepse si duhen zgjidhur problemet kardinale pa u shmangur nga Kushtetuta, përndryshe Kushtetuta mund të bëhet një copë letër me të cilën mund të bësh çfarë të duash me të. Kjo është shumë e rëndësishme për një vend demokratik, janë standardet Perëndimore që e kërkojnë. Për shembull, kohët e fundit ne pamë që Policia dhe Drejtësia italiane vunë në arrest shtëpiak gruan e ministrit të Drejtësisë, që këtu tek ne as që të mund ta çojë njeri në mendje, jo gruan, por edhe shoferin e ministrit. Epo tani ligjet janë ligje, ligji nuk bën përjashtime, janë të barabartë për këdo. Kushtetuta është e barabartë për këdo, Kushtetuta dhe zbatimi i saj nuk mund të varet as nga vullneti im dhe as si politikanët e tjerë të lartë, është shkruar për t’u zbatuar. Ka mendime, jo germa, jo fryma. Unë mendoj se edhe germa edhe fryma përputhen në një drejtim, të mbrohet e ardhmja e Shqipërisë.
Pra në zbatimin e Kushtetutës ju gjykoni se qoftë në rastin e vendimit për të mos e shkarkuar prokurorin e Përgjithshëm, qoftë në vendime të tjera të rëndësishme që ju keni marrë, keni lexuar edhe germën, edhe frymën e Kushtetutës?
Natyrisht.
Ka pasur ndonjë moment për shkak të trysnisë, presionit, për shkak të asaj që me gjithë angazhimin tuaj ju keni thënë boll, stop, do të jap dorëheqjen?
Jo, kjo nuk ka ndodhur. Për arsye sepse ashtu sikur thashë edhe pak më parë, mendimet nuk i kam marrë të nxituara, i kam marrë të konsultuara. Metoda ime kryesore e punës ka qenë metoda e punës me grup. Me gjithë stafin tim dhe këshilltarët e jashtëm dhe të gjithë ata që mund të ishin të vlefshëm për shqyrtimin dhe zgjidhjen e problemit aktual që qëndronte përpara. Pra, kur punohet në këtë mënyrë, është evidente që evitohet në maksimum maksimalja e vendimeve të gabuara.
Ndryshe nga presidentët e tjerë në Shqipëri, ju keni punuar me dy kryeministra, që kanë qenë njëkohësisht edhe dy liderët, njëri i maxhorancës e tjetri i opozitës. Ku bashkoheshin dhe dalloheshin mes tyre Nano dhe Berisha?
Sigurisht, ata janë dy politikanë të rëndësishëm, që kanë një kohë të gjatë dhe kanë qenë prezent që në fillim të tranzicionit tonë dhe unë them që kjo zgjatje e stërzgjatje e tranzicionit nuk mund t’i nxjerrë ato nga përgjegjësia. Sigurisht, kjo përgjegjësi është individuale, por është edhe kolektive me bashkëpunëtorët që ata kanë. Unë mund t’ju them këtë, që ka shumë mundësi në mendimin tim, në formimin dhe edukatën që unë kam, që çdo forcë politike duhet që gjithmonë të vërë në plan të parë interesat e kombit, pastaj interesat e partisë që ai drejton aq më tepër personale. Ja, po të marrim një shembull kohët e fundit. Kjo kriza e rritjes së çmimeve të ushqimeve, janë ushqime të dorës së parë, nuk janë ushqime luksi. Gjëra që njeriu nuk mund të jetojë dot pa to. Tani pensionistët tanë s’kanë ku të shkojnë më keq me atë pension që kanë. Është minimalja e minimales për të jetuar e për të mbajtur frymën. Por edhe nëpunësit e tjerë që kanë, të ulët e të mesëm, edhe për ata vështirësohet shumë. Këto janë probleme që nuk mund të kalohen kaq kollaj. Këto janë ligjet e ekonomisë së tregut. Avash tani, se me ekonominë e tregut jetojnë të gjithë, nuk jeton vetëm Shqipëria. Kemi dëgjuar që edhe në vende të tjera të krijohen situata të tilla dhe që qeveria të rrijë kështu e të bëjë sehir. Në radhë të parë thonë që ne importojmë shumë edhe prodhime bujqësore, në një kohë që fushat tona, gjysmat ose më shumë rrinë djerr. Atëherë, cila është arsyeja? Ne sjellim patate nga jashtë kur patatet në Shishtavec po kalben. Po çfarë duhet të bëjmë? Prandaj janë edhe aparatet përkatëse, prandaj është dikasteri përkatës. Prandaj unë them që qeveria dhe në tërësi politika ka përgjegjësinë e saj. Duhet t’u dilet gjërave përpara. Të marrim krizën e energjetikës, e cila ka 17-18 që po vazhdon. Nuk është një befasi, një gjë që ndodhi aty për ty, një emergjencë. Një emergjencë që është e vazhdueshme për 18 vjet nuk mund të jetë shumë e kollajtë.
Nëse do të ishit sot president, me këtë situatë të rritjes së çmimeve, të ushqimeve, të mallrave të shportës për qytetarin e thjeshtë, çfarë do të bënit?
Këto janë gjëra hipotetike. Sigurisht që unë do të bëja atë që unë do të bëja.
Prej sa vitesh keni që nuk komunikoni me Nanon dhe Berishën?
Nuk ka ndonjë rëndësi të madhe kjo.
Besoj se një nga takimet më të rëndësishme tuajat, me siguri që konsideroni takimin dhe vizitën e Presidentit të SHBA-ve në Tiranë. Çfarë kujtoni nga ky takim?
Sigurisht, unë me presidentin Bush jam takuar për herë të parë në shtator të 2002-shit. Atë vit ishte edhe përvjetori i sulmit terrorist mbi SHBA, më 11 shtator, dhe atje pata një takim dhe mundësi që të bisedoja. Pastaj do të shkoja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Takoheshim, bisedonim biseda të shkurtra. Gjatë gjithë kohës unë e pata ftuar për të ardhur dhe në takimin që patëm në 2006-n, më tha mua: “Unë do të vij. Kam qejf të vij në Shqipëri”. I thashë se ishte i mirëpritur. Kjo është një kënaqësi jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë politikanët shqiptarë, por në mënyrë të veçantë për popullin shqiptar. Megjithatë, unë mendova se ishte një kompliment i radhës. Sigurisht, ishte një kënaqësi kur ne u morëm njoftimin zyrtarisht që presidenti Bush do të vizitonte Shqipërinë dhe qe një ngjarje vërtet historike. Nuk vjen për kriza, por vjen për një vizitë miqësore. Kjo ka shumë rëndësi, se kur ka kriza, edhe mund të vijë. Sikundër ndodhi edhe kriza e Kosovës, kush nuk erdhi, me përjashtim të Presidentit të Amerikës, por ai ishte për krizën. Domethënë vizitë zyrtare, miqësore, kështu nuk kish ndodhur. Sigurisht, qëllimi i ardhjes së tij ishte në radhë të parë për të shfaqur respektin e popullit amerikan, kontributin që Shqipëria ka dhënë dhe po jep në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. E dyta, për peshën që Shqipëria ka dhe luan në rajonin e Ballkanit përsa i përket ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të rajonit. Sigurisht, problemi kryesor ishte ai i Kosovës, shkëmbyem mendime me të, edhe kryeministri shkëmbeu mendime. Unë mendoj që jo se presidenti Bush e mori aty vendimin për të dalë hapur, për të kërkuar, “time is now”, por sigurisht edhe këmbëngulja që bëra qoftë unë, qoftë kryeministri dhe personalitete të tjera, ndihmoi atë që ai ta thotë publikisht. Ai, sikurse mund të ketë marr vesh pak para se të dilte, pati edhe një takim më shumë se gjysmë ore me stafin e tij të ngushtë, si duket nga kjo më interesante se si do ta shprehi. Unë ia kërkova në fakt dhe ai ma premtoi se “unë do ta them publikisht”. Ajo ishte një arritje shumë e madhe, sepse SHBA-të na kanë ndihmuar dhe na kanë mbështetur vazhdimisht. Sigurisht, pavarësia e Kosovës nuk mund të ishte arritur dhe qëllimi i saj nuk do të ishte arritur nëse nuk do të ishte NATO-ja. Unë nuk e nënvleftësoj Bashkimin Europian, e vlerësoj, sepse ka dhënë një kontribut të madh shumë, sepse forcat e NATOS-s, kryesisht janë nga BE-ja në Kosovë. Fuqitë e shteteve kryesore në Bashkimin Europian po luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe shpresoj që ata të jenë të parët të njohin, si Gjermania, Italia, Franca.
Nga burimet diplomatike flitet se gjatë këtij takimi, ju keni kërkuar edhe një takim 5 minutash kokë më kokë?
Ishte 20 minuta takimi kokë më kokë. Takimet kokë më kokë janë praktika të njohura. U tha që ishte përtej protokollit dhe si zgjatje, por që unë isha vetëm për vetëm me të. Zakonisht kokë më kokë mbahet. Kjo ishte e veçanta që unë bisedova me presidentin Bush, direkt me të, kokë më kokë dhe kaloi pesë minuta më shumë se ç’ishte parashikuar.
Kishte lidhje kjo me mandatin tuaj të dytë presidencial, po të kemi parasysh se rreth 1 muaj më pas, në korrik (ishte 10 qershor 2007), zhvillohej procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit?
Takimet s’i kam trajtuar asnjëherë personale, absolutisht. Unë bisedova disa probleme të rëndësishme, mirëpo nuk kishin fare lidhje me mandatin.
Ka një ide, se diku e keni shkelur kufirin në marrëdhënie me maxhorancën aktuale, e cila megjithëse ishte PD-ja dhe Berisha, ishin ata që ju propozuan herën e parë për president, nuk donin asesi që ju të merrnit një mandat të dytë. Çfarë ndodhi?
Se çfarë ndodhi unë nuk e di. Duhet pyetur Berisha, ai mund ta thotë më mirë këtë punë. Vetëm që unë kam qenë konsekuent, siç thashë më parë, për respektim të Kushtetutës dhe nuk ka menduar për punë mandatesh. Unë kisha ndër mend që atë mandat që kisha ta kryeja sa më mirë.
Në fakt, opozita kërkoi, por me tone shumë të lehta, një mandat tuajin të dytë. A u ndjetë të tradhtuar edhe nga opozita?
Opozita nuk pati ndonjë angazhim ndaj meje, as unë kërkova ndonjë angazhim prej tyre. Sikurse e dini, unë nuk e vura kandidaturën. Në një intervistë që dhashë në një media, kur asaj kohë nguli, si e qysh, nëse është për po urdhëro shiko.
Ju dukeni ende shumë vital, pavarësisht moshës. Me se do të merreni në të ardhmen?
Do të merrem me punë dhe koncepti im, mendimi im është se sa të jem të gjallë, të punoj për interesat e vendit tim. Nuk kam absolutisht asnjë gjë për interes personal.
A jeni gati të riktheheni sërish në politikë aktive nëse ju thërrasin?
Kjo është hipotetike, unë nuk e di çdo të ndodhë, por kur vendi im do të ketë nevojë për mua, unë asnjëherë nuk jam kursyer dhe nuk do të kursehem. Megjithatë, dhe kështu siç jam unë do të kontribuoj.

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›