E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Kryeministri Berisha, i paaftë dhe gënjeshtar”

Kreu i selisë rozë kërkon nga të zgjedhurit lokalë të PS-së që të lënë mënjanë mëritë e vjetra dhe të bashkëpunojnë në këshillat vendorë. Rama akuza Berishës për mosmbajtjen e premtimeve dhe për paaftësinë në drejtim të qeverisjes së vendit
Shaban Sulçe

Edi Rama u ka kërkuar të zgjedhurve vendorë të PS-së që të ndjekin shembullin e drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste për të bashkëpunuar me maxhorancën për çështjet që janë në të mirë të vendit dhe në të mirë të shqiptarëve. Duke iu referuar bashkëpunimit që PS-ja i ofroi maxhorancës për reformat e kërkuara për në NATO, Rama kërkoi nga të zgjedhurit vendorë të tij që të bashkëpunojnë me të zgjedhurit vendorë të PD-së për të realizuar politikat dhe vendimmarrjet që janë në interes të shqiptarëve.
“Ne duhet ta bëjmë këtë ndjenjë të posaçme udhërrëfyesen e sjelljes sonë politike, qoftë kur bëjmë politikën e madhe kombëtare, qoftë kur bëjmë politikën e vogël vendore, qoftë kur angazhohemi për reformat e mëdha të integrimit të Shqipërisë në familjen euroatlantike, qoftë kur duhet të votojmë buxhetin e bashkisë apo të komunës, qoftë kur flasim për politikën e re të bashkimit të shqiptareve e shqiptarëve përtej kufijve të vjetër të Partisë Socialiste e të opozitës së sotme parlamentare, qoftë kur mbrojmë interesat e komunitetit vendor brenda shumicash apo pakicash të përbëra prej nesh e aleatëve tanë”, - tha Rama. Kreu i PS-së i inkurajoi të zgjedhurit vendorë të PS-së që pavarësisht vështirësive që ata hasin në këshillat vendorë apo komunalë dhe që janë të lidhura me praktikat bllokuese apo abuzive nga ana e kundërshtarëve politikë, t’i kapërcejnë pengesa të tilla dhe të bashkëpunojnë dhe kontribuojnë për hir të interesave të shqiptarëve. “Çdo socialiste dhe socialist, në çdo forum apo funksion të qeverisjes vendore, duhet të shtyjë tutje të shkuarën dhe duhet të shohë larg në të ardhmen, duhet t'i mbyllë rrugën urrejtjes e dasisë së rrënjosur në vite të tëra - në mjedisin përreth po edhe brenda nesh, - nga politika e vjetër e dembelizmit mendor dhe duhet t'i hapë me pasion shtigje të reja bashkëpunimit e mirëkuptimit, përmes politikës së re të ideve e të shembullit të mirë vetjak”, - tha Rama.
Politika e re
Bashkëpunimin dhe kontributin në këshillat vendorë Rama e ka justifikuar me Politikën e re që duhet të ndjekin socialistët dhe që i shërben zhvillimit të vendit dhe gjithë shqiptarëve.
“Kjo politikë e re duhet të ushqehet nga ndjenja qytetare e ndërtimit të urave të komunikimit e të bashkëjetesës së qytetëruar me të tjerët, në të mirë të qytetit e të fshatit, duhet të ushqehet nga vetëdija qytetare se ne jemi në këto forume e funksione për të ndrequr punët e zgjidhur problemet konkrete të komunitetit e të njerëzve dhe jo për të theksuar përkatësitë partiake e dasitë e vjetra mes partive, duhet të ushqehet nga dashuria për fëmijët tanë, të cilëve u kemi borxh qytetin e fshatin e të nesërmes dhe jo spektaklin banal të politikës së vjetër të mllefit ndaj njëri-tjetrit. Me këtë frymë e mbi këtë bindje unë i kërkova Kryeministrit të Shqipërisë, në emër të drejtuesve të zgjedhur vendorë të opozitës së sotme, takimin e zhvilluar fundvitin e shkuar, ku, bashkë me kolegët e tjerë, u dhamë argumente të plota qeveritarëve të pranishëm për një sërë ndryshimesh të domosdoshme në paketën fiskale e në buxhetin e vitit 2008”, - tha Rama.
Akuzat për Berishën
Kryetari i Partisë Socialiste nuk ka hezituar të sulmojë dhe akuzojë kryeministrin Berisha për mosmbajtjen e premtimeve dhe paaftësinë që ka demonstruar në qeverisje. “Nuk kam dyshuar kurrë se kryeministri ynë nuk është në gjendje të mbajë asnjë premtim, jo vetëm sepse është i paaftë po edhe sepse ai premtimet nuk i bën për t'i mbajtur, po për t'i gënjyer njerëzit e për t’u marrë votën dhe për t’i gënjyer përsëri me një premtim më të madh kur është radha për të mbajtur një premtim të mëparshëm”, - tha Rama. Ai iu referua mosmbajtjes së premtimeve që Berisha bëri për paketën fiskale, për paaftësi në menaxhimin e sfidave të vendit, për pengesë të procesit të autonomisë vendore. Rama fajësoi kryeministrin Berisha për paaftësinë në garantimin e instrumenteve financiare e administrative për organet e njësive vendore, të cilat do të zgjidhnin problemet e mëdha, të cilët i vuajnë ato dhe gjithë shqiptarët.

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›