E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Jo referendumit për sistemin zgjedhor

Partia Republikane ka hedhur poshtë idenë e propozuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, sipas të cilit sistemi zgjedhor elektoral në Shqipëri duhet të përcaktohet me anë të një referendumi. Qëndrimi i PR-së u bë publik nga kryetari i Grupit Parlamentar të saj, Arian Madhi, i cili deklaroi: "Teknikisht është e pamundur që të bëhet përcaktimi i sistemit zgjedhor nëpërmjet një referendumi. Ajo për të cilën politika sot nuk po gjen zgjidhje është pikërisht çështja e sistemit, për të cilin vlerësoj se më pak se kushdo në këtë debat politik, mund të përfshihej Avokati i Popullit". Madhi nuk e quajti me vend sugjerimin e propozuar nga institucioni i Avokatit të Popullit. “Sistemi zgjedhor në të gjithë teoritë e botës është një element politik dhe në këtë kuptim nuk mendoj se është në autoritetin dhe përgjegjësitë e Avokatit të Popullit që të shprehet mbi sistemin. Ndërkohë, politika shqiptare ka një vullnet absolutisht të shprehur qartë për reformën zgjedhore. Do të ishte absurde, se vetë referendumi do të kishte alternativat po-jo, ndërkohë që sistemet zgjedhore janë me dhjetëra. Do të ishte krejt e pamundur teknikisht qoftë dhe nëpërmjet referendumit të bëhej një përcaktim i sistemit", - tha kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi.

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›