Leskaj: “Shkarkimet e 14 gjyqtarëve, KLD-ja shkeli Kushtetutën”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka reaguar ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e 14 gjyqtarëve. Në një konferencë për shtyp Leskaj i ka quajtur këto vendime antikushtetuese. “Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me vendimet e djeshme të KLD-së, e cila në mënyrë të kundërligjshme e jo kushtetuese ka ndërprerë ushtrimin e detyrës së drejtuesve të 14 gjykatave të vendit në Shkallë të Parë edhe në Apel. E theksojmë në mënyrë të kundërligjshme e jo kushtetuese, pasi në asnjë dispozitë ligjore të Ligjit “Për Organizimin e Drejtësisë” apo ligjin për KLD-në, nuk parashikohet kufizimi i mandatit apo i kohës së ushtrimit në detyrë nga ana e KLD-së”, - tha Leskaj. Sipas saj, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë rolin e ligjvënësit, duke dalë përtej kompetencave që i jep Kushtetuta e Shqipërisë. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste tha se vendimet e fundit të KLD-së vijnë në një moment të papërshtatshëm, pikërisht teksa maxhoranca dhe opozita po bashkëpunojnë për realizimin e reformës në Drejtësi.
Leskaj u ndal në rolin e presidentit Bamir Topi. Ajo kërkoi nga numri 1 i Republikës që të mos kthehet në pengesë të realizimit të reformës në Drejtësi. “PS-ja është e shqetësuar për rolin e presidentit në këtë proces, ku ndjehet qartë një trajektore e kundërt me atë të Parlamentit dhe i shkohet ndesh frymës që ne po ndërtojmë përmes Paktit Kombëtar për Reformën në Drejtësi.
PS dhe Grupi i saj Parlamentar i kërkon presidentit Topi të mos kthehet në pengesë për Parlamentin e as në një problem për opozitën, e cila, duke e patur fare të qartë se ai nuk është president mbi palët, ka të drejtë të shqetësohet kur një maxhorancë nga njëra anë ulet në tryezë për reformën, nga ana tjetër vijon aksionin e saj deformues”, - tha Leskaj.
Kryetarja e Grupit Parlamentar socialist kërkoi në emër të Partisë Socialiste që Presidenti i Republikës, Bamit Topi, të shprehet publikisht për Paktin Kombëtar për Drejtësi, nëse e përkrah atë dhe nëse është i gatshëm që të kontribuojë për forcimin e konsensusit për të bashkëpunuar, midis forcave politike.
11 Shkurt 2008