Baraj: Qeveria ka dështuar në politikat e saj për zhvillimin e mjedisit
Politikat e deritanishme kanë dështuar plotësisht në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kështu deklaroi dje Sekretari për Mjedisin në PS, Besnik Baraj. Sipas tij, projektet apo strategjitë në mbrojtje të mjedisit kanë qenë të panumërt, por shkatërrimi i burimeve natyrore, pyjeve, tokës, gërryerja e lumenjve apo dëmtimi i biodiversitetit kanë qenë përsëri të pakrahasueshme. Baraj deklaroi se jemi vendi me një erozion të frikshëm më të madh se 10 herë në krahasim me cilindo vend të Mesdheut.
Erozioni galopant po dëmton rënde edhe basenet e hidrocentraleve, duke rrezikuar kthimin e tyre në jo eficient dhe me kapacitete të zvogëluara. Ai shtoi se ne sot kemi administrimin më të keq të tokës në rajon, kemi shkatërrimin më të madh të pyjeve dhe lumenjeve në rajon. Masakrat në malet e Krujës, vazhdojnë të thellohen. Teksa shkon në këtë qytet me histori e kulturë të lashtë, të ofrohet një peizazh dramatik, i cili të ngjall vetëm trishtim. Në kuadër të këtij dështimi për mjedisin, sipas Barajt Kryeministri Berisha e as Ministri i Bujqësisë dhe i mjedisit për 10 vjet rresht, Xhuveli, nuk janë të aftë të ndalojnë shkatërrimin e këtyre burimeve natyrore. Ai tha se edhe pse vazhdimisht nxirren vendime që mbajnë firmën e kryeministrave, apo të ministrit të Mjedisit, ekskavatorët vazhdojnë të gërryejnë dhe të shkatërrojnë shtretërit e lumenjve. Janë jo te pakta rastet e shkarjeve të tokës me pasoja tragjike.Në propagandën e stilit të vjetër të ministrisë së mjedisit, u shpreh Baraj vazhdon dhe raportohet se vendi ynë ka mbi 1 milion ha pyje dhe mbi 400 mijë ha kullotë. Në shkresat e ministrisë së mjedisit ne rezultojmë se jemi vendi me nivel të lartë të gjelbërimit, duke u renditur të 27 ndër 149 vende të botës.