PSD, Bejtja: Skandali Pango, ajsbergu i korrupsionit të qeverisë
Sipas Nënkryetarit të PSD, Ëngjëll Bejtja kriza qeveritare ka marrë masa shumëplanëshe. Skandalin e Ministrit të Kulturës, Bejtja e cilësoi si ajsbergun e korrupsionit moral të kësaj qeverie. Sipas tij, mazhoranca me në krye kryeministrin u përpoq të bindte opinionin se shkarkimi i ministrit Pango, në mënyrë të rrufeshme është dëshmi e standardit të kësaj qeverie.
Kjo është plotësisht e vërtetë, u shpreh Bejtja, duke shtuar se një kryeministër i përgjegjshëm e shkarkon ministrin e tij jo në momentin kur skandali bëhet publik, por kur ai informohet për skandalin. Dhe kjo nuk ndodhi, u shpreh ai. Sipas tij, ky duhet të jetë standardi i një qeverie dhe mazhorance të përgjegjshme, por kurrsesi smund të jetë standard i kësaj mazhorance dhe kësaj qeverie. Më pas iu referua krizës ekonomike të shumëpërfolur. Bejtja bëri thirrje që Qeveria duhet të projektojë paketa antikrizë për të përballuar rënien ekonomike që ka kapluar mbarë globin. Ai vuri në dukje se ndërkohë që institucionet financiare ndërkombëtare si BB, FMN, përsërisin thirrjet për të marrë masat e nevojshme për të përballuar krizën, kryeministri shqiptar dhe gjithë tellallët e komanduar nga ai u ngjirën duke bërtitur se Shqipëria as është dhe as nuk do të jetë në krizë, a thua se ne nuk jemi pjesë e këtij rruzulli. Pra, mesa duket, u shpreh Bejtja për kryeministrin dhe mazhorancën që ai kryeson Shqipëria vazhdon të jetë si para 50 vjetësh një shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut, që i bën ballë çdo stuhie. Sipas Bejtes, ndërkohë që vende të zhvilluara evropiane, midis tyre edhe fqinjët tanë, kanë filluar të projektojnë paketë masash antikrizë në mënyrë që të kenë edhe ndihmën financiare të institucioneve ndërkombëtare, qeveria vazhdon të kryejë investime në funksion të fushatës së ardhshme elektorale, ku për hir të përfitimit elektoral është gati ta fusë vendin në aventura të reja financiare nëpërmjet kredive, të cilat është e gatshme ti marrë pa ditur interesin që do të paguajë.