Baraj: Qeveria ka krijuar klimë jotransparente
Socialistët konstatuan dje se programi i Bankës Botërore për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare e ka zanafillën përpara ardhjes në pushtet të qeverisë "Berisha". Besnik Baraj thotë se ky ishte i pari program kaq i madh, ku u bënë shumë përpjekje, falë edhe pozitivitetit të vetë BB-së, për të përfshirë me kontribute financiare qoftë me grante, por edhe me kredi vende, si Japonia, Austria, Holanda, Bashkimi Evropian dhe GEF. "Programi parashihte një sërë projektesh e investimesh mjaft serioze në sektorin e mjedisit si menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërtimi i land fillit në Sarandë, trajtimi i ujërave të zeza në zonën bregdetare të Jugut, rehabilitimi i Portit të Sarandës, menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit dhe rehabilitimi i zonës së ndotur të Porto Romanos. "Sot, ky program është pezulluar. Kjo është një tjetër goditje e madhe që i bëhet imazhit keqqeverisës të Sali Berishës. Pezullimi i këtij programi flet qartë për paaftësinë e qeverisë për të krijuar një klimë transparente, bashkëpunuese dhe jo korruptive në menaxhimin e zonës bregdetare", insistoi Besnik Baraj.