Dekoratat, të gjitha prej teneqeje
Medaljet që jep Presidenti i Republikës nuk janë medalje ari. Të gjitha janë teneqe. Gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në disa dyqane, ku shitet dhe vlerësohet përqindja e arit, për të parë vlerën e një dekorate që mban titulli "Mjeshtër i Madh". Në të gjitha dyqanet e "floririt" morën pothuajse të njëjtën përgjigje: Dekorata nuk është punuar me material ari. Shumë prej shitësve konfirmuan madje se shpesh u shkojnë njerëz në dyqanet e tyre me të tilla dekorata, por në asnjë rast ato nuk kanë qenë të punuara me material ari. Në dyqanin e parë, kur gazetarët e "Fiksit" e pyetën shitësen për dekoratën me titullin "Mjeshtër i Madh", se si mund ta vërtetonin që dekorata ishte ar apo jo, shitësja tha se mund të përdornin solucion 14 karatësh. Pasi ajo përdori solucionin, ky i fundit e shoi materialin që kishte dekorata. Shitësja, e vendosur që materiali i dekoratës nuk ishte ar, tha: Mund të jetë çdo lloj materiali, por flori nuk është, madje asgjëkund në këtë dekoratë nuk është numri 58, vulë kjo e fabrikës. Sipas ligjit Nr. 8113, datë 28.03.1996 "Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë", neni 8, Urdhri "Mjeshtër i Madh i Punës" u jepet punonjësve të fushave të ndryshme të shkencës, artit, sportit, drejtimit, prodhimit dhe biznesit për punë të shquar. Ky urdhër do të jetë i artë. Bazuar në këtë ligj, gazetarët e "Fiksit" shkuan edhe në një dyqan tjetër, me një dekoratë "Mjeshtër i Madh" për të parë vërtetësinë e materialit të saj. Sapo shitësi pa ngjyrën që kishte dekorata, tha se ajo nuk mund të jetë aspak flori. Një shitëse tjetër madje propozoi ta fusnin dekoratën në acid nitrik, "por duke mos qenë flori, ajo do të ndryshket". Shitësja e mori dekoratën dhe e peshoi. Sipas peshës, nëse ajo do të ishte flori, do të kushtonte 920 mijë lekë të vjetra. Një tjetër shitës e gërvishti me një limë dekoratën dhe doli ngjyrë gri, alumin. Pasi vendosi pak acid mbi dekoratë, ajo u nxi dhe u bë ngjyrë jeshile. Në të gjitha rastet që gazetarët kërkuan të vërtetonin që dekorata e dhënë nga Presidenti i Republikës ishte ar, sipas ligjit, Urdhri "Mjeshtër i Madh i Punës", nuk rezultoi të ishte i tillë.