Buxheti i Korçës, PS-LSI bashkojnë votat
Këshilltarët e LSI-së në Korçë kanë ndryshuar qëndrim, duke deklaruar bashkimin me PS-në në votimin këtë herë të buxhetit. Bashkimi, sipas këshilltarëve, këtë herë nuk ka të bëjë me një qëndrim politik më tepër se sa me një qëndrim qytetar, që do të thotë se për sa kohë që bëhet fjalë për një buxhet cilësor, ai do të pranohet në emër të ecurisë dhe zhvillimit të mëtejshëm të investimeve për qytetin. Kështu janë shprehur këshilltarët e LSI-së, të cilët kanë bërë të ditur me një deklaratë këtë qëndrim të tyre dhe më pas e kanë konfirmuar edhe gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku u kanë bërë të ditur të djathtëve se tri votat e LSI-së do të jenë këtë herë pro buxhetit të bashkisë. Sipas Riza Ashimit, tre këshilltarët e kanë marrë këtë vendim pasi janë konsultuar mes tyre, ndërkohë që ky qëndrim për bashkimin me PS-në për miratimin e buxhetit, siç deklaron ai, i është bërë i ditur edhe LSI-së në qendër. "Ne padyshim jemi konsultuar për këtë vendim që kemi marrë. Pasi kemi diskutuar me të tre këshilltarët, kemi rënë dakord që këtë herë të shprehemi pro buxhetit dhe tri votat tona do të jenë për miratimin e tij ditën që do të kryhet edhe mbledhja e radhës", theksoi Ashimi. Teksa preferoi në këtë mënyrë t‘u jepet fund diskutimeve me karakter politik. Gjatë mbledhjes së djeshme, edhe pse në rend dite nuk ka qenë miratimi i buxhetit, në një deklaratë këshilltarët e LSI-së kanë shprehur qëndrimin pro buxhetit, duke u qartësuar para publikut.