E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lisbona mbështet Shqipërinë për në BE

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë pune në Portugali, ku u prit nga homologu i tij, ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë, Louis Amado. Marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Portugalisë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet rajonale dhe ato globale, si dhe bashkëpunimi shumëpalësh, ishin temat kryesore të bisedimeve mes dy homologëve. Gjatë takimit, ministri Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve në Shqipëri, duke u ndalur në konsolidimin e reformave ekonomike e politike dhe në hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit. Amado, pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe frymën e bashkëpunimit reciprok në planin dypalësh e shumëpalësh, e informoi ministrin Basha se Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit portugez mori dje në shqyrtim dhe miratoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i cili do t‘i përcillet brenda një kohe shumë të shkurtër Parlamenti portugez për ratifikim në seancë plenare. Amado shprehu mbështetjen e plotë të Portugalisë për ecjen përpara në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›