Haxhinasto: Asnjë strategji për të zgjidhur kaosin me pronësinë
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësimin për moszgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave në vend. "Këtij shqetësimi i afrohet edhe Bashkimi Evropian, duke e trajtuar atë me të drejtë si një kusht për integrimin e mëtejshëm të vendit në BE", u shpreh Edmond Haxhinasto. Sipas tij, dështimi i qeverisë "Berisha" në zgjidhjen e problemit të pronësisë është dështimi më i rëndë i kësaj qeverie në politikat e saj zhvillimore. Pasi zgjidhja e kësaj çështjeje, shtoi ai, kushtëzon të gjitha politikat e tjera sektoriale, zhvillimin e bujqësisë, turizmin, infrastrukturën dhe veçanërisht kushtëzon tërheqjen e investimeve të huaja. "Pavarësisht asistencës në projektet e strategjive të shumta në këtë sektor, që kanë angazhuar partnerë ndërkombëtarë e agjenci të specializuara, Bankën Botërore, USAID, Misionin Euralius etj., qeveria ‘Berisha‘ nuk ka një vizion e një strategji të integruar", theksoi Haxhinasto. Me këto, shtoi ai, qeveria mund t‘i japë përfundimisht zgjidhje kësaj çështjeje në Shqipëri, që të kthejë pronën te pronari dhe të çlirojë në qarkullimin ekonomik milionat e ngurtësuara në çështje pronësore të pazgjidhura. Në këto vite të qeverisjes së saj, tha Haxhinasto, kjo qeveri e ka rënduar problemin në vend që ta zgjidhë atë. "Me mungesë të plotë transparence, me një filozofi klienteliste dhe elektorale, kjo qeveri ka komplikuar bazën ligjore, ka krijuar konfuzion në kompetencat e agjencive që merren me këtë çështje, siç është rasti i kompetencave të ALUIZNI-t dhe ka shpërdoruar edhe fondet buxhetore për kompensimin e pronarëve", u shpreh Haxhinasto. Në vlerësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim zgjidhja dhe konsolidimi i çështjes së pronësisë në Shqipëri është prioritet i programit të saj qeverisës, pasi zgjidhja e saj është jo vetëm çështje e të drejtave themelore të qytetarëve, por edhe përcaktuesi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.