E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mërzitet me qytetarët: Jo më SMS

Hallet e shqiptarëve e kanë lodhur Kryeministrin Berisha. Tashmë kreu i qeverisë nuk pret më as letra, as e-maile dhe as sms nga qytetarët. Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një njoftimi, i cili është afishuar në hyrjen dytësore të derës së Kryeministrisë, ku priten edhe qytetarët e shumtë. Në njoftim thuhet se tashmë të gjithë ata që kanë një hall dhe për të i janë drejtuar apo kanë ndërmend t‘i drejtohen Kryeministrit Berisha, të mos e bëjnë më një veprim të tillë, por t‘u drejtohen institucioneve përkatëse qendrore, apo lokale për të marrë zgjidhjen e kërkuar. Shprehimisht, në njoftimin e afishuar te hyrja e Kryeministrisë, theksohet se "kur kërkesa e tyre është adresuar për zgjidhje në institucionet përkatëse qendrore apo lokale, janë të lutur të kontaktojnë me këto institucione për marrjen e përgjigjes". Më tej, në njoftim theksohet se, "nëse ka vonesa, kalohen afatet ligjore për marrjen e përgjigjes nga institucionet, qytetarët janë të lutur të informojnë me shkrim drejtorin e Marrëdhënieve me Publikun për veprime të mëtejshme, por në raste të tilla takime me drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun nuk janë të rekomanduara". Ky njoftim bëhet vetëm gjashtë muaj pasi Kryeministri Berisha, në një spot publicitar, deklaroi numrin e tij privat, tek i cili priste mesazhe nga të gjithë qytetarët, që kishin për të denoncuar një veprim korruptiv, apo kishin ndonjë hall për të zgjidhur dhe në dyert e institucioneve qendrore, apo lokale nuk kishin mundur të gjenin një zgjidhje konkrete. Gjithashtu, në fillim të mandatit të tij qeverisës, nëpërmjet një show mediatik, Kryeministri publikoi hapjen e një zyre të posaçme në Kryeministri, në të cilën u instaluan dy numra telefoni pa pagesë dhe dy punonjës, që gjatë gjithë ditës do të prisnin dhe regjistronin telefonatat e qytetarëve të vendit që ankoheshin për hallet dhe shqetësimet e tyre. Por, edhe kjo fushatë, e cila zgjati shumë pak, rezultoi e dështuar, së pari, pasi dy numrat e telefonit nuk gjendeshin kurrë të lirë, pra në gjendje pune dhe së dyti, qytetarët nisën të mashtrojnë, duke akuzuar edhe pa fakte, thjesht për inate personale. Më pas, Kryeministri publikoi në media një spot të gjatë, në të cilën u bënte të ditur qytetarëve numrin e tij të telefonit dhe u kërkonte që ata, në çdo orë të ditës dhe të natës t‘i dërgonin atij mesazhe për hallet e tyre dhe për të denoncuar rastet e korrupsionit nëse ishin dëshmitarë të tyre. Kjo, sipas Berishës, bëhej për të vetmin qëllim, për të qenë sa më pranë shqiptarëve dhe për të vendosur shtetin ligjor në vend. Por, përpjekja për të dëgjuar hallet e shumta duket se ka rezultuar e lodhshme për kreun e qeverisë, i cili tashmë ka vendosur t‘u mbyllë derën të gjithëve. Mesazhi është mjaft i qartë, askush të mos i shkruajë më "gjeneralit", sepse përgjigjja do të jetë mjaft e shkurtër dhe e thjeshtë, një letër e hedhur në koshin e plehrave, duke mos mbërritur kurrë në dorën e Kryeministrit, një sms e fshirë dhe një e-mail i palexuar.

Premtimi i Berishës

Kreu i qeverisë publikoi numrin e tij të telefonit

Gjashtë muaj më parë, në një spot televiziv që zgjaste rreth 6 minuta dhe 30 sekonda, Kryeministri u thoshte qytetarëve se numri i tij i telefonit ishte në dispozicion të qytetarëve për të shprehur hallet dhe shqetësimet e tyre. "Numri im i telefonit është 0692099410 dhe është gjithnjë i hapur për mesazhet tuaja", ka thënë Kryeministri Berisha. Në spotin e tij, Berisha deklaronte se qeveria e drejtuar prej tij ka bërë shumë në luftën kundër këtyre fenomeneve, por me ndihmën e qytetarëve mund të bëhet edhe më shumë për t‘i eliminuar ato. "Me ndihmën tuaj kemi vendosur përpara ligjit mbi 100 zyrtarë të korruptuar, kemi kursyer mbi 2.2 miliardë dollarë, paratë tuaja në taksa dhe tatime. Mbi 280 milionë dollarë në prokurimet publike, mbi 250 milionë të tjera nga shpenzimet e qeverisë. Po të shikojmë ku ishim, kemi bërë shumë. Por, së bashku, kemi ende shumë për të bërë", ka deklaruar Berisha. Sipas Berishës, qytetarët me kurajo dhe besim duhet të denoncojnë pranë autoriteteve çdo rast kërkese për ryshfet nga ana e punonjësve shtetërorë, pasi heshtja së pari u bën dëm atyre dhe shoqërisë. Kreu i qeverisë theksoi se në këto raste kemi të bëjmë me një krim, i cili duhet të ndëshkohet. "Ata, duke shfrytëzuar postin fusin dorën në xhepat tuaj, ju grabisin kursimet tuaja, por edhe dinjitetin. Në çdo shoqëri të qytetëruar ky quhet krim dhe vetëm krim", ka thënë Berisha në spot. Në pjesën tjetër të spotit, veç sukseseve të qeverisë në fusha të ndryshme për zhvillimin e vendit, jepen edhe objektivat që qeveria ka ende për të përmbushur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›