KQZ premton zgjedhje të pakontestueshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi dje rrugëtimin drejt zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në orët e paradites, shtatë anëtarët realizuan mbledhjen e konstituimit dhe zgjodhën në postin e nënkryetarit Dëshira Subashin. Gjatë fjalës së rastit, kreu i institucionit menaxhues të zgjedhjeve, Arben Ristani, vlerësoi se "KQZ-ja tashmë i konstituar, është i gatshëm të fillojë përgatitjet për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, ashtu sikundër e parashikon Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor". Kur na ndajnë më pak se pesë muaj nga data e zgjedhjeve, shtoi ai, të ndodhur në limitet kohore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor për disa procedura, më lejoni të shpreh besimin se do të mundemi të kthejmë faktorin kohë në favorin tonë. "KQZ-ja ka një mision të përcaktuar qartë sa i takon administrimit, zhvillimit dhe certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe, në këtë kontekst, duhet dhe do të bëjmë maksimumin tonë për të bërë realitet dëshirën e çdo shqiptari: zgjedhje të lira, të ndershme, konform të gjitha parametrave ndërkombëtarë, por mbi të gjitha të pakontestuara prej askujt", nënvizoi Ristani. Edhe pse për të gjithë, fraza e mësipërme ndoshta tingëllon paksa si një retorikë e lodhur, vijoi ai, më lejoni të shpreh jo vetëm bindjen time personale, por edhe të të gjithë kolegëve të mi në këtë panel, se ne duhet dhe do të mundim ta shndërrojmë në realitet këtë aspiratë kombëtare. "Nga ky moment, vëmendja jonë do të fokusohet në përballimin jo vetëm të volumit të punës që duhet të kryhet, në sensin administrativ, për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, por dhe implementimin për herë të parë të sistemit proporcional dhe detyrave të reja që na përcakton Kodi Zgjedhor", premtoi Ristani. Teksa për të realizuar këtë qëllim, ai kërkoi vullnetin e duhur politik. Subjektet politike janë faktorë dhe aktorë mjaft të rëndësishëm në procesin zgjedhor, theksoi Ristani, pra rrjedhimisht fryma dhe klima e besimit reciprok mbeten parametra thelbësorë për realizimin e çdo procesi zgjedhor konform të gjitha standardeve. "Çmoj dhe vlerësoj frymën e lartë të konsensualitetit treguar nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë jo vetëm në votimin e trupës drejtuese të KQZ-së, por edhe në qëndrime të tjera, që i kanë paraprirë këtij fakti, sikundër janë ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë në tërësi, por dhe në Kodin Zgjedhor në veçanti", tha Ristani. Kjo frymë e lartë konsensualiteti, në vlerësimin e tij, përpos mirëkuptimit, është padyshim dhe një tregues i përgjegjshmërisë dhe maturisë që disponon sot klasa politike shqiptare. "Nëse kjo klimë do të shoqërojë të gjithë procesin zgjedhor, KQZ-ja do të mundet kështu të ketë përkrah një aleat të domosdoshëm, aleat, i cili në rolet e aktorit dhe faktorit do të mundësonte pa asnjë ekuivok, arritjen e qëllimit final: zgjedhje të lira, të ndershme, konform standardeve të njohura ndërkombëtare", u shpreh Ristani. Në drejtim të garantimit të transparencës dhe standardeve ai kujtoi vendosjen e kamerave në vendet e numërimit të votave dhe pajisjen e shtetasve me dokumente të pakontestueshme identifikimi.
Nisur nga ky kontekst, ai ftoi të gjitha palët, që duke lënë mënjanë paragjykimet dhe qëndrimet skeptike subjektive, të bëjnë maksimumin, që në përfundim të këtij procesi zgjedhor të jemi shkëputur njëherë e përgjithmonë nga konstatimet e tipit "një tjetër shans i humbur".
Nisur nga ky kontekst, ai ftoi të gjitha palët, që duke lënë mënjanë paragjykimet dhe qëndrimet skeptike subjektive, të bëjnë maksimumin, që në përfundim të këtij procesi zgjedhor të jemi shkëputur njëherë e përgjithmonë nga konstatimet e tipit "një tjetër shans i humbur".