Baraj: Rrëshqitja e dherave, pasojë e politikës së papërgjegjshme
Sekretari për Mjedisin në PS, Besnik Baraj deklaroi se rrëshqitjet e tokës në Synej të Kavajës, në komunën e Trebinjës në Pogradec, në fshatrat e Gramshit apo rreziku i shembjes së Digave në rezervuare të ndryshëm të vendit, si në Belsh apo fshatrat e Kavajës me kapacitete 1-2 milion m3 ujë, nuk janë fenomene natyrore. Sipas tij, këto janë rrjedhojë e politikave të papërgjegjshme që qoftë Ministria e Mjedisit, qoftë ajo e Bujqësisë vazhdojnë të ndjekin në lidhje me administrimin e tokës, rezervave ujore, të bimësisë, studimeve gjeologjike, mjedisore dhe atyre tektonike.
Baraj deklaroi se shteti i Berishës nuk po luan rolin e parandaluesit të dramave dhe tragjedive për qytetarët e vet. Ai vijoi se ky shtet nuk po punon në realitet që të respektohen ligjet e natyrës, e të bëjë ndërhyrje që parandalojnë erozionin masiv, shkarjet e dherave apo dëmtimin e digave. Baraj solli në vëmendje qytetin e Belshit apo të Shardushkut, ku për shkak të mosndërhyrjes për të funksionuar shkarkuesit apo përforcuesit e digave, rrezikohen nga përmbytjet mjaft shtëpi deri dhe fshatra. Baraj deklaroi se Partia Socialiste paralajmëron se këto ngjarje mund të kenë pasoja jo vetëm ekonomike, por edhe tragjike nëse nuk ndërmerren veprime energjike në këto zona edhe në të tjera, të ngjashme, në të cilat ka prerje masive të pyjeve e shkatërrim edhe të bimësisë së ulët e për rrjedhojë edhe një erozion të jashtëzakonshëm që shoqërohet deri me rrëshqitje të dherave.