E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shqipëria jo prona e Kryeministrit, por pasuria jonë e përbashkët

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vazhduar turin me vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim në qytetin e Rrëshenit. Qytetarët e Rrëshenit i kanë rezervuar Edi Ramës një pritje masive, jo vetëm që në rrugët e tij, duke qenë se përmasat e sallës nuk kishin kapacitetin e duhur për të gjithë qytetarët që donin të ishin të pranishëm në takim. Gjatë takimit në sallën e pallatit të kulturës së këtij qyteti, Edi Rama është shprehur se tashmë është koha për tu bashkuar përtej, kufijve të partive, përtej interesave të oborreve familjare e klanore që e kanë uzurpuar politikën dhe sot ndjehen të kërcënuara nga fuqia e ndryshimit që po vjen. Në rast se Shqipëria është kjo që ne e kemi sot, kaq e varfër, kaq e papunë, kaq e pashpresë, kaq e prapambetur, ndërkohë që ne nuk kemi asgjë më pak se të tjerët, për të qenë njësoj si të tjerët, kjo në radhë të parë lidhet me politikën, u shpreh Rama duke shtuar se duhet të ndryshojmë politikën për të ndryshuar qeverisjen dhe duke ndryshuar qeverisjen ne do të ndryshojmë Shqipërinë, duke e bërë si gjithë Evropa. Duke iu drejtuar qytetarëve të Rrëshenit, Rama u shpreh se sot Shqipëria është më e varfër se 4 vjet më parë, dhe 4 vjet të tjera si këto nuk durohen. Sot Shqipëria është më e papunë se 4 vjet më parë dhe 4 vjet të tjera si këto nuk përballohen. Sot Shqipëria është më e pashkollë se 4 vjet më parë, edhe 4 vjet të tjera si këto nuk justifikohen. Sot Shqipëria është më e dhunuar se 4 vjet më parë dhe 4 vjet të tjera si këto nuk tolerohen. Sot Shqipëria është më e kapur nga korrupsioni se 4 vjet më parë. Sipas kreut socialist Rama, atdheu ynë nuk është prona e Kryeministrit dhe një oborri ministrash, ku janë përqendruar të gjitha fijet e korrupsionit që thith përditë energji dhe të ardhura nga organizmi i shoqërisë tonë, por është pasuria jonë e përbashkët dhe borxhi që ne u kemi fëmijëve tanë. Rama deklaroi se është koha për tu bashkuar, përtej kufijve të vjetër të partive, dhe dasive të vjetra të së shkuarës, përtej mërive dhe hasmërive që politikanët e vjetër kanë nxitur dhe kanë ushqyer deri në fshatin më të largët për 18 vjet me radhë, përtej interesave të oborreve familjare dhe klanore që e kanë uzurpuar politikën dhe sot ndjehen njësoj të kërcënuara nga fuqia e ndryshimit që po vjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›