E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: Qeveria investon për reklama elektorale, neglizhon kartat falas

Nënsekretari për Çështjet Ligjore, Damian Gjiknuri i ka bërë thirrje qeverisë që të nisë shpërndarjen e kartave të identitetit falas, pasi shifra prej rreth 730 mijë shtetas me të drejtë vote që nuk disponojnë kartë identiteti apo pasaportë biometrike është tepër e konsiderueshme. Gjiknuri tha se kjo shifër është bërë publike edhe sipas zyrës së informacionit të Ministrisë së Brendshme, ndërsa deri në këtë moment vetëm 100 mijë shtetas pa pasaportë kanë aplikuar për karta. Qeveria harxhon miliona euro për reklama elektorale dhe nuk ka para për fushatën e sensibilizimit për aplikim, u shpreh Gjiknuri. Ai tha se propozimi i opozitës nuk i kushton shtetit më shumë se 6 milion euro. Gjiknuri deklaroi se vlera e kontratës është rreth 200 milion euro e cila paguhet me detyrim nga shtetasit shqiptar. Ai shtoi se shteti përfiton në mënyrë direkte nga kjo kontratë 5% të vlerës së kontratës pa TVSH pra rreth 8 milion euro, si dhe TVSH- në e 3.5 milion pasaportave, pra 35 milion euro, me një total 43 milion euro. Gjithashtu, Gjiknuri vuri në dukje vonesën e Qeverisë, e cila sipas tij ka shkelur çdo afat kontraktor në lidhje me ngritjen e sistemit të aplikimit dhe shpërndarjes së kartave, duke bërë që sistemi akoma të mos shtrihet në të gjithë vendin. Sipas kontratës koncesionare, tha Gjiknuri, sistemi i aplikimit duhej  të ishte ngritur 4 muaj pas lidhjes së kontratës në të gjithë Shqipërinë,  pra në 21 nëntor 2009, ndërsa në dokumentin e  tenderit ky afat ka qenë 3 muaj. Gjiknuri deklaroi se janë shkaktuar dëme në formën e penaliteteve rreth 500 mijë euro për shkak të moszbatimit të kontratës. Sipas tij, 300 mijë euro nga mos shtrirja e stacioneve të aplikimit, të cilat janë hapur 3 muaj me vonesë. Ndërsa, 200 mijë euro nga mos prodhimi në kohë i kartës së ID.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›