E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI prezanton gjashtë kandidaturat për deputet në qarkun e Beratit

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga drejtues të LSI-së në qytetin e Beratit, ka zhvilluar një tur takimesh në këtë qytet. Meta prezantoi dje gjashtë prej deputetëve që do të kandidojnë nën logon e kësaj partie në Qarkun e Beratit. Kreu i LSI-së, Meta ka zhvilluar disa takime të njëpasnjëshme në Berat për të prezantuar emrat e kandidatëve. Gjatë këtyre takimeve, banorët pritën mjaft mirë kandidatët që prezantoi kreu i LSI-së Meta për Beratin, që janë Nasip Naço, Tomorr Kapllani, Gledian Rehovica, Mustafa Muçi, Petrit Ago dhe Sadik Muka. Gjatë takimeve që pati në disa zona të ndryshme të Beratit si në Lumas apo Roshnik, Meta theksoi se është Koha për Veprim në mënyrë që ndryshimi të jetë i prekshëm, që ndryshimi të jetë vërtetë ai që do ti bëjë shqiptarët të punësohen dhe të jetojnë shumë më mirë, sesa dje. Duke falënderuar qytetarët e Beratit, për mbështetjen, Meta  bëri apel duke i thënë atyre se tashmë është Koha për Veprim, është koha për të marrë vendime të rëndësishme. Vendimi i parë u shpreh Meta, është nxjerrja në pension e Sali Berishës, sepse shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të zvarriten në varfëri dhe në probleme të jashtëzakonshme sociale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›