E Diel, 1 Nëntor 2026

Baraj: “Si do të riorganizohet PS-ja e Tiranës për të fituar zgjedhjet e 2009-s”

Kryetari i PS-së së Tiranës: “Pretendojmë të fitojmë 18 deputetë”. Besnik Baraj: “Strukturat e PS-së, rol determinues në fushatë”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste për degën e Tiranës, Besnik Baraj, ka deklaruar se tashmë ka nisur një proces i gjerë riorganizimi i strukturave të PS-së në kryeqytet, për të përballuar me sukses procesin e ardhshëm zgjedhor. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Baraj deklaron se objektivi i PS-së së kryeqytetit është që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 PS-ja të fitojë 18 deputetë në qarkun e Tiranës, duke dalë forca e parë. Baraj thotë se strukturat e PS-së në Tiranë do të kenë një rol kyç në fushatën elektorale. Ai shpjegon se puna e strukturave të PS-së do të koordinohet edhe me kandidatët që do të përzgjidhen në listën për deputetë të qarkut të Tiranës.

Zoti Baraj, cila është gjendja e strukturave të PS-së së Tiranës në prag të këtij viti elektoral?
Është fakt se PS-ja në përgjithësi është partia më e organizuar në vend dhe bën një jetë aktive edhe brenda saj. Kjo lidhet me përvojën tashmë shumëvjeçare. E veçantë në këto tri vite është se ka një gjithëpërfshirje më të madhe të të gjitha niveleve drejtuese të Partisë në proceset dhe dinamikën organizative. Kështu, e tërë asambleja është e përfshirë si në organizimet nëpër Shqipëri, por edhe në Tiranë. Kjo e fundit edhe për faktin se ka veçoritë e veta si kryeqytet, si popullsi, por edhe si qendra kulturore politike dhe shtetërore më e rëndësishme e vendit. Si asnjëherë tjetër në praktikat politike, lidershipi i PS-së dhe drejtuesit e saj kanë realizuar një mënyrë komunikimi me publikun, qoftë nga pikëpamja sasiore, por edhe në futjen e mjaft elementeve të reja demokracie, duke i kapërcyer muret partiake dhe duke dëgjuar e pozuar probleme reale e specifike që e shqetësojnë atë, në varësi nga gjeografia dhe niveli i zhvillimit ekonomik e kulturor. Organizata e Tiranës s’ka pak muaj që ka dalë nga procesi i brendshëm zgjedhor, i cili u shoqërua me pranime të reja, zgjedhje të shoqeve e të të rinjve në krye të organizatave si dhe kompaktësi në tërësi. Tashmë ajo është gati të futet në situatat zgjedhore dhe sfidat që e presin në vijim. Pa dyshim, siç e theksova në realizimin cilësor të këtij procesi, ka ndikuar si vetëdija e anëtarësisë, por edhe angazhimi i anëtarëve të asamblesë, një pjesë e të cilëve, edhe pse të rinj, treguan jo vetëm përkushtim, por edhe aftësi.

Keni deklaruar se PS-ja e Tiranës do të riorganizohet në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Cilat do të jenë etapat e këtij riorganizimi dhe si do të bëhet ky riorganizim?
Procesi i organizimit tashmë ka filluar dhe ka përfunduar faza e parë, ajo e kompaktësisë së strukturave dhe organizatave socialiste. Ne tashmë mbulojmë çdo qendër votimi me një ose më shumë organizata. Në vazhdim ne do të thellojmë njohjen nga organizatat socialiste (OS) të zonës, duke sjellë jo vetëm përvojën më të mirë të PS-së në vite, por edhe duke e pasuruar atë me përvoja dhe teknologji bashkëkohore. Në këtë drejtim nuk ka munguar e do të thellohet shkëmbimi i eksperiencës dhe me mjaft institucione politike europiane. Vetë ligji i ri elektoral kërkon një eficencë shumë të lartë të organizatave socialiste, e cila do të kompensojë edhe rolin jo të vogël deri dje të kandidatit për deputet. Thelbi i punës në vijim do të jetë ajo kokë më kokë me njerëzit dhe marrja e përgjegjësive konkrete të çdo anëtari.

Siç dihet, qarku i Tiranës do të ketë numrin më të madh të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme, ku priten të mandatohen 33 deputetë. Çfarë objektivi do të ketë PS-ja në këtë qark?

Partia Socialiste, sot pas tre vjet qeverisjeje të Partisë Demokratike, përtej propagandës dhe retorikës shpesh të shpifur të lidershipit të saj, sheh se politika qeverisëse trevjeçare e Berishës nuk ka rritur as nga pikëpamja sasiore as nga pikëpamja sasiore pjatat në tavolinat e shqiptarëve. Nuk ka rritur nivelin e punësimit, nuk ka ulur nivelin e korrupsionit. Pyetni biznesin privat për tenderat se sa duhet të paguajnë. Gërdeci tregoi për përfshirjen e qeverisë në krim dhe korrupsion. Për rrjedhojë, në zgjedhjet e 2009-s ne vijmë mjaft ambiciozë. Pretendojmë 18 deputetë. Jemi me këmbë në tokë në synimet tona, analizojmë zgjedhjet e 2007-s, ku Berisha humbi dramatikisht në Tiranë, edhe pse ofroi e riskoi kandidatin më të mirë të PD-së. Po t’i shtojmë rezultatit të 2007-s dhe konsumin e dy viteve të tjera (Gërdec, çështja “Trebicka” e me siguri ndonjë tjetër skandal që do na dalë deri në fund), pretendimet tona janë reale dhe të arsyeshme. Beteja e 2009-s do jetë midis PS-së dhe PD-së, midis Ramës dhe Berishës. I pari u ofron shqiptarëve Tiranën e ndryshuar (me gjithë vështirësitë që i ka sjellë pushteti qendror për ta zbehur atë), ndërsa tjetri u ofron sistemin piramidal të ‘96-s dhe manipulimin e zgjedhjeve, 2000 të vrarët në ‘97, grushtin e shtetit në ’98-n, opozitarin destruktiv e kërcënues, dhe së fundi Gërdecin e problemin “Trebicka”. Pa folur këtu për konfliktet me botën akademike, presidentin, Prokurorinë etj. Pra në 2009-n shqiptarët do të votojnë kundër politikës konfliktuale, korruptive e primitive që duket sheshit edhe poshtë këmishëve e kostumeve të shtrenjta të pushtetit të sotëm.

A do të bëjë propozime dega e PS-së në Tiranë për kandidatura konkrete për deputetë në zgjedhjet e ardhshme?
Ende nuk është përcaktuar procedura e përzgjedhjes së kandidaturave. Rëndësi ka fakti se procedura do të jetë konsultative, e pjekur. Për të nuk do të vendosë një njeri dhe produkti do të jetë mjaft cilësor, i mirëpritur nga votuesi, duke garantuar fitoren në Tiranë.

Duke qenë se në zgjedhjet e ardhshme do të votohet vetëm për subjektet politike, do të doja t’ju pyesja për koordinimin e fushatës zgjedhore. Nga se do të udhëhiqet kjo e fundit? Nga kandidatët për deputetë, apo nga të zgjedhurit e strukturave?

E thashë më sipër se strukturat do të jenë determinuese, por pa dyshim dhe kandidatët e listës do të jenë një vektor në rezonancë të plotë me strukturat. Kandidatët e listave do t’i gjejnë strukturat në vendin e duhur, me organizim konkret dhe pasqyrë shumë të qartë veprimesh. Roli i tyre do të jetë po në këtë kah.

A parashikoni një rivalitet të fortë në zgjedhjet e ardhshme me koalicionet e tjera konkurruese si ai i PD-së dhe ai i LSI-së?
Ligji i ri elektoral i jep secilës parti atë që meriton (sigurisht nëse Berisha nuk fut duart si në ’96-n). Secila Parti ka pistën e vet. Ne jemi të bindur se PS-ja do të jetë forca e parë politike sepse dhe beteja do të jetë ndërmjet PS-së dhe PD-së. Shqiptarët nuk mund të bëjnë një gabim tri herë. Pati një iluzion në 2005-n se Berisha ka ndryshuar, por sot edhe njerëzit e tij, nëse nuk do ta shihnin si ombrellë pushteti e korrupsioni, ku dhe përfitojnë, do ta largonin sa më parë. Ka ardhur koha që Berishën ta largojnë jo vetëm njerëzit jashtë partisë së tij, por edhe vetë PD-ja.

PS-ja në zgjedhjet në Tiranë

Pas sanksionimit të sistemit proporcional rajonal në Kushtetutë në zgjedhjet e vitit 2009, në qarkun e Tiranës do të konkurrohet për 33 deputetë.
Në zgjedhjet e vitit 2005, Partia Socialiste humbi shumë beteja zgjedhore në konkurrimin për 11 deputetët që konkurruan në qarkun e Tiranës.
Vetëm 4 nga 11 kandidatë për deputetë të PS-së arritën të fitonin në zgjedhjet e vitit 2005 në qytetin e Tiranës, përkatësisht Musa Ulqini, Shpëtim Idrizi, Andis Harasani dhe Ermelinda Meksi.
Partia Socialiste arriti të marrë rreth 39% të votave në qytetin e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2005.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2007 fitoi kandidati i PS-së për kryetar bashkie, Edi Rama, me një diferencë prej 20 mijë votash nga rivali i PD-së, Sokol Olldashi.
Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet që në qarkun e Tiranës të konkurrojë për deputet kryetari i PS-së, Edi Rama.
Në zgjedhjet e vitit 2009 objektivi i PS-së është që të fitojë 18 nga 33 deputetë në qarkun e Tiranës.

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›