Vendimi final, sa do të jenë çmimet e trojeve në të gjithë vendit
Habjon Hasani
Tiranë - Ministria e Financave ka përfunduar hartimin e plotë të udhëzimit për çmimin minimal të trojeve në të gjithë vendin. Sipas të dhënave zyrtare nga kjo ministri, ky udhëzim do të ngelet në fuqi të paktën për një vit më vonë, ndërsa në përllogaritjen e çmimit minimal të trojeve detajohen në mënyrë të plotë të gjithë parametrat dhe tarifat përkatëse për çmimin dysheme të tokës, por edhe për mënyrën e përllogaritjes së tatimit mbi vlerën e shtuar për rastet e shitjes së pronës. Normalisht, çmimi i shitjes së një banese përcaktohet në kontratën e shitjes. Por në të gjitha rastet kur ky çmim për metër katror është më i vogël se ai i parashikuar në këtë udhëzim të ministrit të Financave, bazë për llogaritjen e çmimit të banesave merret çmimi dysheme, i përcaktuar me tabelë sipas qyteteve për çdo metër katror. Sipas këtij vendimi, kompanitë e ndërtimit nuk do të përfshihen në tatimin me 10 për qind në shitjen e banesave, por kjo taksë është e destinuar në zinxhirin në vazhdim të shitjeve. Po në këtë vendim janë përcaktuar edhe referencat në çmimet e blerjes së banesave, për të gjitha ato transaksione financiare që prej vitit 1995, që kanë mbetur pa një vlerë.
Taksa
Tatimi 10 për qind mbi pasuritë e paluajtshme do të zbatohet edhe për banesat që nuk kanë në kontratat e tyre vlerë blerjeje. Pjesa më e madhe e këtyre kontratave, në të cilat janë blerë pasuri të paluajtshme pa një vlerë të caktuar në kontratë, u korrespondojnë viteve 1995-2003. Për të realizuar këto transaksione, për të cilat tashmë duhet një vlerë fillestare çmimi, qeveria ka ribotuar disa nga vendimet e marra nga ana qeverive të viteve të ndryshme dhe Entit Kombëtar të Banesave për çmimet mesatare që do të përdoren. Gazeta ka publikuar çmimet minimale për të gjitha vitet, përdorimi i të cilave është i detyrueshëm në të gjitha rastet kur çmimet e deklaruara janë më të ulëta. Ndërsa, përsa u përket blerjeve të banesave, të cilat nuk kanë një vlerë në blerje, çmimet e referencës do të bazohen kryesisht në vendimet e marra nga Enti Kombëtar i Banesave.
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë, bëhet e ditur se për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara deri më datë 31 dhjetor 1995, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, si dhe ndërtesat e privatizuara me Ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja mesatare për metër katror e sipërfaqes së shfrytëzueshme, të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, në VKM-në nr. 815, datë 09.12.1996. Ndërsa për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara nga 1 janari 1996, deri më 31 dhjetor 2002, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja mesatare për metër katror të sipërfaqes së shfrytëzueshme, e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në: Vendimet e Këshillit të Ministrave: VKM nr. 815, datë 09.12.1996; VKM nr. 13, datë 05.01.1998; VKM nr. 214, datë 28.04.1999; VKM nr. b362, datë 14.07.2000. Në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën, për efekt të përcaktimit të detyrimit tatimor, si çmim minimal i shitjes do të merret çmimi i përcaktuar në VKM-në nr. 555, datë 29.08.2007, në VKM-në nr. 653, datë 29.09.2007 dhe në VKM-në nr. 139, datë 13.02.2008.
Kategorizimi i çmimeve për rrethet
1. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për dyqane mallrash apo shërbimesh është 1.5 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit.
2. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për garazh të mbuluar është 70 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave.
3. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi zyra është i njëjtë me çmimin e sipërfaqes së apartamenteve.
4. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për parkim të hapur është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave.
5. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për qytetet që nuk janë të listuara në këtë shtojcë, është kostoja e shitjes për m2 të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin e fundit.
6. Për ndërtesat e privatizuara me Ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” i ndryshuar, për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara deri në 31 dhjetor 2004, çmimi për m2 është kostoja e shitjes për m2 të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin e fundit.
7. Për komunat çmimi minimal llogaritet 70 për qind e çmimit të qytetit përkatës.
2 Tetor 2008