E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e gjyqtarëve kërkon pezullimin e projektligjit



Eljona Ballhysa
Kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, ka kërkuar dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve që të pezullohet diskutimi i projektligjit për administratën gjyqësore. Bejleri kërkoi që pezullimi i këtij drafti të jetë deri në dhënien e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për kërkesën e kësaj shoqate, për ta cilësuar të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Por kjo kërkesë e Bejlerit ka nxitur debatet në Komision, pasi kryetari demokrat i Komisionit, Ilir Rusmali, e cilësoi jashtë rendit të ditës këtë kërkesë. Ai u shpreh se Komisioni i Ligjeve nuk ka kompetencë për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Rusmali kërkoi që kryetarja e shoqatës të japë mendimin e saj për projektligjin për administratën gjyqësore dhe të mos bëjë sugjerime përsa i përket procedurës së diskutimit të draftit. Ky reagim i Rusmalit është kundërshtuar nga opozita, e cila e cilësoi si dhunë psikologjike që ushtrohet ndaj përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor. Më tej, gjatë fjalës së saj, Bejleri e cilësoi ligjin antikushtetues dhe që bie në kundërshtim me disa nene të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor dhe që cenon qartazi pavarësinë administrative dhe financiare të pushtetit gjyqësor. Ndërsa përfaqësuesja e kancelarëve, Ardena Beli, e mbështeti ligjin dhe vlerësoi dispozitën që parashikon dyfishimin e pagave për punonjësit e administratës gjyqësore.
Kundërshtimet
Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, bëri të ditur se “emërimi i kancelarit nga ministri i Drejtësisë tregon qartë një varësi vertikale të administratës gjyqësore nga Ekzekutivi”. Sipas saj, kjo dispozitë e parashikuar në projektligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë bie në kundërshtim me nenin 145/1 të Kushtetutës, që sanksionon se gjyqtarët janë të pavarur. “Miratimi i këtij projekti, i cili është vazhdim i ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, do të krijonte jo vetëm papajtueshmëri me Kushtetutën në cenim të pavarësinë e të pushtetit gjyqësor, por sjell dhe çorganizim të punës së përditshme të administratës gjyqësore”, - është shprehur Bejleri. Ajo bëri të ditur se projekti në fjalë rrit së tepërmi kompetencat e ministrit të Drejtësisë, i cili vendos për emërimin dhe shkarkimin e personelit të administratës gjyqësore. Po kështu, në nenin 4/2 të projektligjit parashikohet se ministri i Drejtësisë miraton rregulloren e administratës gjyqësore. Kjo sipas Bejlerit bie në kundërshtim me parimet kushtetuese të mosndërhyrjes në veprimtarinë e gjykatave.
Ajo ka kundërshtuar dje nenin 5 të projektligjit që parashikon kompetencat e kryetarit të gjykatës, duke e cilësuar këtë dispozitë diskriminuese për pozicionin e kryetarit të gjykatës, jo vetëm në marrëdhëniet e tij me ministrin e Drejtësisë, por edhe ndaj kancelarit. Bejleri më tej ka kundërshtuar përmbajtjen e nenit 6 të projektligjit, i cili parashikon që kancelari të administrojë pasurinë e paluajtshme të ndërtesës së gjykatës. Sipas saj, meqenëse kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë, kjo dispozitë parashikon që pasuria e paluajtshme të administrohet nga Ekzekutivi duke cenuar pavarësinë financiare të pushtetit gjyqësor.
Një tjetër kundërshtim i kryetares së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve ka qenë neni 7, i cili përcakton që kancelari i gjykatës të emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë sipas procedurave të parashikuara në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor. Por, sipas Bejlerit, ligji për pushtetin gjyqësor nuk parashikon asnjë procedurë për emërimin apo shkarkimin e kancelarit, ndaj, sipas saj, mbetet që marrëdhënia e kancelarit të vendoset në bazë të Kodit të Punës. Por pika tjetër e nenit shtatë parashikon që nëpunësve të tjerë të administratës gjyqësore t’i jepet statusi i nëpunësit civil, ndërkohë që kancelarit nuk i jepet ky status. Sipas Bejlerit, sipas këtij drafti, vartësit e kancelarit janë më të mbrojtur se ai.
Në përfundim të fjalës së saj Bejleri sugjeroi që ky projektligj të miratohet me 3/5 e votave në Kuvend dhe jo me shumicë të thjeshtë.
Opozita
Edhe përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve e kanë cilësuar projektin një tjetër përpjekje të qeverisë për të kontrolluar pushtetin gjyqësor. “Projektligji nuk ofron asnjë standard bazik e parimor për menaxhimin efektiv, por edhe transparent të gjykatave, por në shumë dispozita të tij vërehet haptazi një tendencë e ekzagjeruar e centralizimit të administrimit në duart e ministrit te Drejtësisë. Edhe kur një kompetencë nuk është drejtpërdrejt e ushtruar nga ministri, ajo ushtrohet nga kancelari i gjykatës, i emëruar i ministrit, pa asnjë propozim apo konsultim nga gjykata përkatëse apo kryetari i gjykatës”, - është shprehur relatori i projektit, Besnik Dervishi.

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›