Krerete gjykatave: “Me draftin e ri jemi spiune të ministrit”
Laureta Rryçi
Projektligji për administratën gjyqësore cenon pavarësinë e Gjyqësorit duke fuqizuar kancelarët dhe formalizuar kryetarët e gjykatave. Të këtij mendimi ishin jo vetëm të gjithë kryetarët e gjykatave të vendit, por edhe një pjesë e mirë e anëtarëve të KLD-së. Mbledhja e organizuar prej Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të dëgjuar kundërshtitë e kryetarëve të gjykatave ka vijuar dje për disa orë me radhë me debate të ashpra mes tyre dhe ministrit Enkelejd Alibeaj. Këtij të fundit shpeshherë dje iu desh të fliste edhe me tone të ashpra ndaj akuzave jo vetëm ndaj kryetarëve të gjykatave, por edhe ndaj anëtarëve të KLD-së. Ndërsa “ftohtësia” mes ministrit Alibeaj dhe zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, vazhdon të jetë në të njëjtat nivele. Spahiu shpjegoi dje se projektligji kishte mbërritur vetëm dy ditë më parë prej Komisionit të Ligjeve. “Me gjithë kërkesën tonë për informacion ndaj këtij projektligji, Ministria e Drejtësisë nuk na e ka vënë në dispozicion”, - tha dje Spahiu, duke bërë kështu publike situatën e marrëdhënieve institucionale mes tij dhe Alibeajt. Ai premtoi se anëtarët e KLD-së do të mblidheshin edhe një herë të premten për të dalë në konkluzione konkrete mbi projektligjin. Debatet nuk kanë munguar. Kryetarët kundërshtuan fort nenet 3, 4 dhe 6. Sipas tyre, është e pakuptimtë që administrata gjyqësore të shihet si diçka veçmas nga Gjyqësori.
Kundërshtitë
Mbledhja e djeshme, që vijoi deri në orën 14:20 është regjistruar e gjitha me audio dhe video nga KLD-ja. Kjo për shkak se do të përpunoheshin të gjitha mendimet e dhëna nga kryetarët, në mënyrë që të përfshihen në sugjerimet që do të japë KLD-ja. Fillimisht Alibeaj shpjegoi se për këtë projektligj kishin dhënë opinionin e tyre jo vetëm ekspertë të huaj, por edhe gjyqtarë të vendit tonë, që janë pjesë e gjykatave të rëndësishme të vendit tonë. Më tej kundërshtitë u pasuan nga kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Albert Meçe dhe kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj. Anëtarja e KLD-së, Altina Xhoxhaj, i kujtoi dje ministrit se në mbledhje kishin ardhur për të dëgjuar kryetarët e gjykatave, dhe jo atë. Në të njëjtën frymë me të ishin dhe anëtarët e tjerë të KLD-së, Besim Trezhnjeva, Edmond Islamaj, Artan Gjermeni dhe Admir Thanza.
Statusi
Projektligjin për administratën e Gjyqësorit e kanë cilësuar të gjithë pjesëmarrësit si një risi ligjore që realisht duhet të ndërmerrej më parë. Pika e vetme ku ishin dakord të gjitha palët dje ishte fakti që administrata e Gjyqësorit do të bëhej me statusin e nëpunësit civil. Ndërsa nenet që kundërshtoheshin pothuajse nga të gjithë ishin nenet 4, 5 dhe 6.
2 Tetor 2008