E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barak Obama, sot betimi si President i SHBA

 

Në një ceremoni madhështore, ku do të marrin pjesë rreth 2 milionë amerikanë, Barak Obama do të bëjë sot betimin e presidentit. Me rastin e kësaj ngjarje, 4 ditë festime kanë filluar në Uashington. Dje Presidenti i zgjedhur Barak Obama, nderoi kujtimin e udhëheqësit të së drejtave civile, Martin Luther King. Obama tha se është me rëndësi që të kujtohet mësimi i Dr. Kingut se “ëndrrat tona të veçanta, përbëjnë në fakt një ëndërr të vetme”. Ndërsa dy ditë më parë u dha një koncert madhështor para Memorialit të Linkolnit. Dhjetëra-mijëra njerëz ishin mbledhur, edhe pse ishte ftohtë, për të marrë pjesë në një koncert të legjendave të muzikës, Bruce Springsteen, Stevie Wonder dhe Bono, për të dëgjuar fjalimet që mbajtën personalitete të fuqishme të Hollivudit, për të parë prezantimet në video të inaugurimeve të mëparshme presidenciale, si dhe të momenteve kyçe në historinë e Shteteve të Bashkuara. Presidenti i zgjedhur Barak Obama doli nga pjesa e rrethuar me xham antiplumb dhe qëndroi në shkallët e memorialit, ku ngrihet statuja me përmasa më të mëdha se ato reale e Abraham Linkolnit. Ishte Presidenti Linkoln ai, që në vitin 1862 nxori Proklamatën e Emancipimit për lirimin e skllevërve në Shtetet e Bashkuara. Sot, Obama do ta verë dorën pikërisht mbi Biblën e Abraham Linkolnit, kur të bëjë betimin si Presidenti i 44-ër amerikan.
Ashtu sikurse ka bërë shpeshherë në muajt e fundit, Presidenti i zgjedhur foli hapur për sfidat me të cilat përballen SHBA, duke theksuar se vendi është në luftë dhe ekonomia amerikane në krizë. Por Obama la të kuptohet se nuk ka arsye për t’u dëshpëruar.
“Qëndroj sot këtu me më tepër shpresë se kurrë, që SHBA do ta përballojnë gjithçka, se ëndrra e të parëve tanë do të jetojë. Këtë shpresë e shoh sot këtu me ju, amerikanë të çdo race dhe feje, që keni ardhur sot, sepse besoni tek e ardhmja e vendit, dhe ngaqë dëshironi që ne t’ju ndihmojmë ta arrini atë.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›