“Po pengohet ndërtimi i parkut të ri në Tiranë”
“Mosmiratimi i buxhetit të Tiranës për vitin 2009 po pengon ndërtimin e parkut të ri pranë fushës së Aviacionit”. Kështu u shpreh dje nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eduard Shalsi. Ai tha se ky projekt do të fillonte menjëherë pas miratimit të draftit të hartuar nga administrata e institucionit ku ai bën pjesë. “Një park i ri prej 50 mijë m2 është projektuar në këtë hapësirë me kërkesën e qytetarëve dhe do të fillonte për t’u zbatuar me buxhetin e vitit 2009", theksoi Shalsi. Nënkryetari i bashkisë edhe për këtë rast foli me tone të ashpra duke akuzuar dy forcat politike, PD e LSI, të cilat rrëzuan buxhetin. “Sali Berisha e Ilir Meta nuk duan një park të ri për familjet e kryeqytetit, por duan zhurmën e pluhurin e kësaj hapësire për të nxjerrë përfitimet e tyre politike”, pohoi Shalsi. Sipas tij, ata me shpresën revoltuese kërkojnë të armiqësojnë qytetarët me Bashkinë. Nënkryetari shpjegoi se përfitimet politike të dy palëve bënë që në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të hidhej poshtë për herë të dytë buxheti i 2009. “Ja pse ata votuan me një dorë rrëzimin e buxhetit, duke ndaluar edhe ndërtimin e këtij parku të madh, megjithëse përditë bëjnë sikur u qan zemra për hapësirat e gjelbra”, përfundoi ai.