E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen vaksina për kancerin e qafës së mitrës

 

Për herë të parë në vendin tonë mbërrin vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës. Ajo ul me 94% rrezikun e prekjes nga tumori. Gjithçka u bë me dije dje gjatë konferencës kombëtare për këtë lloj sëmundje. Kompania “GloxoSmithKline” ka mundësuar sjelljen e  vaksinës, e cila do të nisë së shpejti të kryhet në kontingjentin e parë të vajzave. Deri tani, në tregun shqiptar ka munguar vaksina në fjalë, e cila përdoret nga pjesa më e madhe e vendeve të Evropës dhe aplikohet që në moshën 10-vjeçare. Ajo jepet në një seri prej tre dozash për një periudhë 6-mujore. Nga sa bëjnë me dije ekspertët e shëndetësisë, vaksina ka treguar efektivitet maksimal aty ku ajo është kryer në kohë. Të dhënat shkencore dëshmojnë se është e efektshme deri në moshën 55-vjeçare. Për grupmoshat mbi 26 vjeç, përpara vaksinimit rekomandohet bërja e testit për prezencën e virusit. “Parandalimi nëpërmjet vaksinimit dhe kryerjes së depistimeve periodike reduktojnë riskun e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës deri në 94 për qind”, sqaruan dje specialistët e shëndetësisë. Çdo vit në vendin tonë zbulohen mbi 100 raste të reja me tumore të qafës së mitrës. Pjesa më e madhe e tyre paraqiten në spital në stad të avancuar, çka i ul shanset për të përballuar sëmundjen. Në botë shifrat për këtë lloj tumori janë reduktuar me 50%.”Nëse ne arrijmë të kapim këtë kancer që në qelizat e para mund të rrisim efektivitetin tonë në dy të tretat e kontingjencës më këtë patologji”, u shpreh dje Ministria e Shëndetësisë Anila Godo. Grupmoshat më të prekura  janë ato mbi 40 vjeçe. Kulmi rasteve me këtë sëmundje arrin në moshat 45-49 vjeçe, ku incidenca është 14.9 raste për 100 mijë banorë. Në moshat 50-54 vjeçe kjo incidencë shkon në 14.3 raste, kurse në moshat në 56-69 vjeçe, në 12.2 raste për 100 mijë banorë. Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga një virus i zakonshëm, i quajtur human papillomavirus (HPV). Nga mbi 100 tipa që njihen, vetëm 15 janë të lidhura me kancerin. Infektimi prej çdonjërit konsiderohet si shkaku i gati 99.7% të rasteve me kancer të qafës së mitrës.
    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›