Ish-atasheu francez: Shqipëria e viteve ’80 si Koreja e Veriut
Kur u nis drejt Shqipërisë, ajo nuk e dinte se ato dy vite do të linin kaq shumë shenjë në jetën e saj. Ishte e re, vetëm 21 vjeçe dhe gjithçka e shihte me syrin e aventurës. Që atëherë jeta e saj do të merrte një rrjedhë tjetër. Do të interesohej për politikat kulturore në vendet e Evropës Lindore, do të bëhej një aktiviste e flaktë e çështjes kosovare e do të përçonte letërsi shqipe në gjuhën frënge. Do të ishin 2 vite si atashe kulture në Shqipëri, që do ta bënin Anne-Marie Autissier, gruan që është sot. Është 50 vjeçe. Është një grua shumë energjike, me flokë ngjyrë gështenjë e sy bojëqielli. Me një buzëqeshje të madhe, ajo nuk u vidhet pyetjeve. Flet për studimet e saj, veprat që ka në duar, por edhe atë periudhë, gati 30 vite më parë, kur ajo erdhi në Shqipëri. Ajo shpenzon pak minuta duke folur në mënyrë të përgjithshme, ndërsa pi coca cola-n e vet distike në një kafe të hapur në Paris. “Kur do të filloj”, pyet ajo në mënyrë energjike. Si shumë evropianë të tjerë ajo mban shumë “grada”. Ndër të tjera, ajo është e kualifikuar si mësuese në letërsinë moderne.
Në vitin 1980, Anne-Marie mbërtheu me krahë hapur ofertën e bërë nga Inalco (ku studionte) për t’u bërë atashe kulture në Shqipëri. Një udhëtim që e mbajti në Tiranë për dy vjet. “Është një tjetër botë, e cila gjeografikisht është në Evropë, por është gjithsesi jo evropian. Në të njëjtën kohë ne rrallë herë flasim për vendet evropiane dhe aq më pak për etnitë e Evropës Lindore. Shqipëria, e cila ka qenë gjithnjë e lidhur historikisht dhe gjeografikisht me Evropën, ka parë të thyen një nga një marrëdhëniet me botën e jashtme, që nga Jugosllavia, Kina e aq më tepër Rusia. Ka qenë si Koreja e Veriut, aso kohe, në shumë aspekte!”, thotë ajo për revistën franceze “Revista evropiane”. Ajo zbuloi “jetën në një shoqëri komuniste, nën një regjim, i cili dukej se nuk bënte asnjë lëshim në planin ndërkombëtar dhe ku të gjitha takimet bëheshin nën mbikëqyrje!”. Shqipëria në veçanti, por dhe Ballkani e Evropa Qendrore e Lindore, qëlloi të ishte një burim i mirë frymëzimi në karrierën e saj, mjaft të shohësh në bibliografinë e saj. Ajo kënaqet kur sheh sot artistë e studentë shqiptarë që “gjejnë Evropën” Në këtë kohë të kufizuar, Anne-Marie ka avantazhin që me njohuritë e saj gjuhësore të arrijë të përkthejë e të bëjë të njohur shkrimtarët shqiptarë dhe krijimtarinë e tyre të mrekullueshme. Duke ndjekur shansin e një takimi në një festival Filmi në Tiranë, ajo vendosi marrëdhëniet dhe nisi përkthimin e një autori shqiptar të vendosur në Barcelonë, Bashkim Shehut. Aq më tepër që ai është djali i Mehmet Shehut, ish-kryeministrit shqiptar gjatë regjimit komunist, i cili u vetëvra në vitin 1981, gjatë kohës që ajo gjendej në kryeqytetin shqiptar. Kjo ngjarje la me të vërtetë një gjurmë tek ajo.
Evropa kulturore është në fokus të karrierës së Anne-Marie Autissier. Që para zgjerimit të Bashkimit Evropian me 12 shtete në 1986, ajo prezanton një projekt-pionier me ish-botuesin e seksionit edukativ të gazetës franceze “Le Monde”, Jean Michel Djian. Agjencia franceze “Eurocreation” u krijua mbi idenë e evropianëve të rinj. “Ishim në mes të procesit të bashkimit të Evropës dhe kishim probleme të mëdha qytetarie”, kujton ajo. “Ndjenim se institucionet ishin zhvilluar, por në të njëjtën kohë ishin ndarë nga qytetarët, sidomos ata të rinj. Kishim frikë se ata, jo shumë larg do ta shihnin Evropën prej asaj që ata merrnin dhe jo për atë që i jepnin”. Shatë vite me projekte të shumta për artistë të rinj në mënyrë që ata të fitonin pavarësinë. “Gjërat nuk janë bërë për të zgjatur përgjithmonë”, thotë ajo. Me gjithë suksesin, projekti u mbyll në vitin 1992. Një kapitull u mbyll për të. “Roli i pionierit është të krijojë kushte për t’u zhdukur. Kur një projekt bëhet i zakonshëm, do të thotë se ka qenë i suksesshëm. Problemi është që shpesh njerëzit ngatërrojnë krijimin me krijuesin”. Pas “Eurocreation”-it, pas eksperiencës së fituar, Evropa kulturore u vendos në fokus të gjithçkaje. Këtë eksperiencë e përdori për t’ua përçuar studentëve në Institutin e Studimeve Evropiane, një institucion multidisiplinar, dedikuar Evropës në Universitetin Paris VIII, ku sot ajo zhvillon konferenca në sociologji, kulturë dhe mbi median. Paralelisht boton veprat e saj dhe përkthimet nga gjuha shqipe, një aftësi të rrallë, të cilën ajo e përmend të parën.