Barazim i bardhë, por Laçi në turin tjetër
Skuadra e Nevil Dedes, edhe pse ka barazuar pa gola me Apoloninë, ka arritur të marrë vendin e dytë në grupin A dhe të kualifikohet
Laçi Apolonia 0-0
Laçi: Vashaku, Sefgjini, Buljan, Xhafa, Doku, Trajkoviç, Kastrati, Zefi (Rexha 91), Milenkoviç (Shazivari 46), Emurllai, Selimi (Lloga 90). Trajner: N.Dede.
Apolonia: Xhelili, Çarls, Mehmetaj, Da Silva, Ndoni, Muçaj, Gërço, Çimili, Mahliaj (agastra 46), Ribaj (Jovani 22), Dimo (Naçi 68). Trajner: Dh. Papuçiu.
Gjyqtarë: A. Koçi, F. Elezi, F. Lama (Durrës)
Kartona të verdhë: Trajkoviç, Xhafa, Zefi
Në ndeshjen e pestë të raundit në grupe të Kupës së Shqipërisë, Laçi arrin të kualifikohet matematikisht pas barazimit me Apoloninë në fushë asnjanëse dhe pa tifozë. Ndeshja është zhvilluar në stadiumin e Kamzës dhe ka qenë tërësisht e qetë, pa ndikime. Fierakët e kanë nisur mirë lojën, duke krijuar raste të mirëfillta shënimi, por e kanë pasur të pamundur të shënonin përballë Vashakut. Vendasit janë zgjuar disa herë për të shënuar, por e kanë pasur të vështirë, sepse miqtë dinin të mbroheshin mirë.
Ajo që vlen më tepër është kualifikimi i Laçit në fazën e 1/8 dhe e gjen veten në Grupin B për të vazhduar më tej këtë kompeticion. Takimi ka nisur nga këmbët e sulmuesve fierakë që në sekondën e parë të takimit kanë sulmuar me Gërçon. Mahilaj pason lehtë afër mesfushës dhe Gërço gjuan, topi përfundon pak mbi traun e portës. Me këtë sinjal vendasit përgatiten për më të vështirën, ndërsa fierakët për tiu prishur punë kurbinasve.
Minutat e tjera tregojnë që të dy ekipet nuk e kanë me shumë dëshirë të shënojnë, pasi loja përqendrohet në mesfushë dhe trajnerët provojnë lojtarët e tyre pasi i sugjerojnë disa lëvizje që nga pankinat. Në minutën e 30-të Doku harkon nga e djathta, Selimi e stopon dhe kapiteni Emurllai gjuan, por Xhelili pret topin përpara se ai të shkonte në trekëndësh. Në pjesën e dytë Dede dhe Papuçiu e nisin me zëvendësime, por loja mbetet e njëjtë si në pjesën e parë.
Rastet për shënim flasin për Apoloninë më shumë sesa për Laçin, sepse miqtë, edhe pse me lojtarë me moshë të re në fushë, arrijnë të kombinojnë mirë, dallohet për veprimet e tij mashtruese Ledjon Muçaj po ashtu dhe Dimo, të cilët dinë të kombinojnë mirë në zonën e vendasve, por pa arritur të gjejnë kuadratin. Në minutat e mesit të kësaj pjese të besuarit e Nevil Dedes për këtë takim ndërmarrin disa aksione dhe i afrohen mirë portës me veprime taktike, por formacioni i hedhur në fushë nga Papuçiu ishte i vendosur me skemën 5-4-1 dhe nuk mund të depërtohej lehtë.
Më pas fierakët arrijnë të shkojnë në portën e vendasve disa here, duke marrë shumë goditje nga këndi, por loja në ajër është në nivele të dobëta për miqtë. Në fundit e pjesës së dytë Dede bën dy zëvendësime, por nuk ka kohë për ndryshim rezultati. Me rrjeta të paprekura përfundon ky takim, që e dërgon Laçin në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë. Tashmë ndeshja e fundit do të vlejë për statistikë si për Apoloninë dhe për Laçin.
Nevil Dede, trajner i Laçit: Është një ndeshje që na siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-ve. Jemi të lumtur për këtë gjithashtu edhe për lojën që bëmë, pasi nuk e kishim me ngut që të luanim fort. Lojtarët i porosita të luajnë deri në atë masë sa të mos mbingarkohen, pra nuk kishte shumë rëndësi rezultati, sepse edhe me barazimin u kualifikuam. Ky takim më shërbeu për të parë skuadrën taktikisht për takimin e radhës kundër Tiranës. Tashmë ne mbetemi në këtë kompeticion dhe do të vazhdojmë të luftojmë për të arritur diçka.
Dhimitër Papuçiu, trajner i Apolonisë: Luajtëm aq sa mundeshim, duke parë dhe organikën e skuadrës. Treguam potencialet tona, por nuk mundëm të merrnim pikë. Ajo që më interesoi më shumë ishte të shikoja skuadrën sesa e gatshme është për ti marrë pikë Skënderbeut në ndeshjen e javës së parafundit të superligës. Jam i kënaqur nga disa lojtarë, por për disa të tjerë kam vërejtje. Kemi një ndeshje të vështirë të shtunën dhe jemi fokusuar më shumë atje. I uroj suksese skuadrës laçiane në rrugën që po vazhdon në kupë.
