E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta më në fund e tregon veten edhe në Kupë

Nga GAVROSH PAPA       

Pogradeci futet sërish me të rinjtë dhe rezervat, për tu përqendruar vetëm te ndeshjet e kampionatit, duke lënë Kupën

Pogradeci Teuta  0-2

Shënues: Osmani 36 (11-m), Tairi 80

 

Pogradeci: Hoxha, Binishi (Tanushi 73), Drazhanin, Çajku, Përe (Lako 67), Zguro (Larti 46), Baze, Jahaj, G. Çekiçi, Saviç, A. Çekiçi. Trajner: Y. Çekiçi.

Teuta: Rizvani, Sheta, Osmani, Stafa, Jakupi, Tairi, Veliaj, Hyshmeri (Pepa 85), Nika, (R. Hoxha 83) Dosti, Çota (Mancaku 62). Trajner: H. Lika.

Kartonë të verdhë: Binishi, Zguro, Baze, Veliaj

Gjyqtarë: M. Masha, E. Doda, E. Derraj (Tiranë)

Pogradeci dhe Teta vinin në këtë takim si dy rivalë të denjë, në një sfidë të hapur për kualifikimin në grupin B. Pogradecarët duket se kanë vendosur tu besojnë të rinjve në këtë takim, ku plot 9 lojtarë të formacionit të takimeve të fundit janë lënë pushim. Teuta ka hedhur në fushë formacionin më të mirë, duke mos kursyer asgjë për të arritur fitoren.

Teuta fillon të lëvizë duke sulmuar nga krahët, ku Hyshmeri nga njëri krah dhe Nika nga krahu tjetër, janë një rrezik konstant për mbrojtjen pogradecare. Sinjalin e parë e jep Dosti në minutën e 13-të, i cili godet fuqishëm nga 25 metra, por Hoxha pret i sigurt.

Teuta është mjaft racionale në lojën e saj dhe në minutën e 35-të, pas një kombinimi të dyshes Veliaj-Hyshmeri, është i riu Zguro që bën një ndërhyrje të panevojshme në kundërkohë dhe për gjyqtarin Masha nuk ka hezitim, 11-metërsh për Teutën. Godet fuqishëm Osmani dhe topi përfundon në trekëndëshin e djathtë të Hoxhës.

Pjesa e dytë nis e shpejtë, ku duket se avantazhi i krijuar i ka dhënë futbollistëve durrsakë qetësinë e duhur, duke u mbrojtur me forca të shumta dhe duke i besuar kundërsulmit. Teuta që ruan me fanatizëm avantazhin dhe vendësit që nuk pajtohen me rezultatin. Liqenorët janë hedhur të gjithë në sulm dhe në minutën e 70-të është Çajku që në mënyrë mjeshtërore e ka çuar topin në këndin e majtë të portës, por porteri Rizvani reagon shkëlqyeshëm, duke shpëtuar portën e tij nga goli.

Por vendësit lënë shumë hapësira në prapavijë dhe kjo do të shfytëzohet shumë mirë nga durrsakët. Në minutën e 80-të është Mancaku që vepron shumë shpejt nga e majta, tregohet altruist dhe shërben bukur për Tairin, që fare pranë portës, nuk e ka të vështirë të shënojë golin e dytë dhe të sigurisë për durrsakët.

Minutat e mbetura nuk japin asgjë në vazhdim, përveç duartrokitjeve të publikut për lojën e të dy ekipeve, në një takim fair-play. Teuta arriti objektivin e saj për këtë takim kundër të rinjve pogradecarë, por duket se ai i së shtunës për kampionat do të jetë një tjetër muzikë.

Ylli Çekiçi, trajner i Pogradecit: Ishte një takim që kemi munduar të aktivizojmë lojtarët tanë të rinj, duke parë që nga takimi i fundit në Fier kemi ruajtur plot 9 titullarë për takimin e së shtunës në kampionat, ku janë edhe objektivat tona. Në këtë takim u kemi dhënë mundësinë disa lojtarëve të rinj, që besoj se e kanë justifikuar këtë aktivizim. Në kampionat ne do të japim gjithçka dhe kam besim se ky turn over i sotëm do të na shërbejë.

Hasan Lika, trajner i Teutës: Kemi udhëtuar me objektiva të qarta drejt Pogradecit, ku objektivi ynë ishte fitorja dhe jam i kënaqur nga loja e ekipit, që ka marrë fitoren në këtë. Por dua të theksoj se Pogradeci ka luajtur i rezervuar në këtë takim, duke lënë jashtë titullarët. Në momente të veçanta kemi qenë disi në pozitë të vështirë, por e kemi administruar si duhet takimin, duke arritur objektivin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›