E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu tripletë Besës, kalimi i grupit bëhet fakt i kryer

Grupi C

 

Skënderbeu   12 pik렠         9-4

Kastrioti                     10 pik렠         12-7

Luftëtari                     7 pikë 9-10

Besa                0 pikë 1-10

 

Korçarët, sipas parashikimit, sigurojnë kualifikimin qysh një javë përpara, ndërkohë që Levi në fund bojkoton konferencën për shtyp

 

Skënderbeu – Besa 3-0

Shënues: Bratiç 27, Xhafaj 61, 89

Skënderbeu: Shehi, Fagu (Tahirllari 54), Sulejmanoviç, Vrapi, Arapi (Ribeiro 73), Bratiç, Orelesi, Allmuça, Shkëmbi (Biskup 62), Muzaka, Xhafaj. Trajner: S. Levi.

Besa: Bakaj (Guma 81), Ndoni, Karriqi, Hoxha (Krasniqi 46), Perja, Dedej, Mihani (Hylviu 63), Çelhaka, Traga, Rroshi, Dushku. Trajner: G. Magani.

Kartonë të verdhë: Arapi, Xhafaj / Mihani, Rroshi, Krasniqi

Gjyqtarë: E. Durmishi, F. Mata (Tiranë), Sh. Ziri (Fushë-Krujë)

Kampionët dje kanë bërë detyrën përballë Besës në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë të luajtur në Korçë, një takim që duhet thënë se ka dhuruar pak emocione, pasi kavajasit kishin ardhur thjesht për shëtitje në qytetin juglindor, ndërkohë që kuqebardhët kanë falur shumë, edhe pse kanë fituar pastër 3-0. Një 90-minutësh që u luajt pothuajse me një portë, me përjashtim të dy zbritjeve të kavajasve, ndërkohë që Shehi edhe një herë ka qenë spektator në fushë.

Skënderbeu-Besa dje është ndjekur nga afërsisht 3 mijë sportdashës, që më shumë janë ngrohur në diellin me dhëmbë të Korçës dhe kanë parë thjesht se si shënonin golat kampionët dhe se si humbisnin edhe shumë raste të tjera për shënim.

Me këtë fitore të djeshme 3-0, por duke përfituar edhe nga barazimi 3-3 që Kastrioti arriti në Gjirokastër, duhet thënë se kampionët e kanë siguruar kualifikimin qysh një javë përpara përfundimit të ndeshjeve në grupe dhe në Krujë një javë më vonë, tashmë do të udhëtojë vetëm ekipi i të rinjve, pasi Levi dhe të tijtë tani do të mendojnë vetëm për dy javët e fundit të fazës së parë në kampionat.

Me një skemë tërësisht sulmuese dhe kavajasit nga ana tjetër të vendosur më shumë në prapavijë, ndeshja e djeshme ka nisur me raste për korçarët. Por duhet të vinte minuta e 27-të që kampionët të kalonin në avantazh, teksa Bratiç nga më shumë se 25 metra, lëshon një predhë me të djathtën e tij dhe topi prehet në rrjetë. Edhe pas golit korçarët vijojnë rastet.

Talenti 20-vjeçar i Skënderbeut, Artnand Tahirllari, i futur në fushën e lojës në pjesën e dytë, në një zbritje të shpejtë për vendësit, del përballë portierit mik, topi i gjuajtur nga ai kthehet te pika e penalltisë dhe sulmuesi Daniel Xhafaj me kokë e çon topin në rrjetë, duke dyfishuar shifrat në 2-0 për Skënderbeun.

Ky ishte goli i sigurisë, ndërkohë që golashënuesi korçar Xhafaj në minutën e 89-të shënon sërish, teksa këtë herë është Tahirllari që brenda zonës nuk tregohet egoist, por pason për Xhafajn. Me këtë fitore ndaj Besës, kuqebardhët kanë mbyllur misionin e tyre për vitin 2011-të për sa i përket Kupës së Shqipërisë dhe në Krujë, një javë më vonë, Skënderbeu do të kryejë thjesht një formalitet, duke menduar të dërgojë ekipin e të rinjve.

 

Deklarojnë

Stanislav Levi, trajner i Skënderbeu: Pas ndeshjes së djeshme nuk ka pranuar aspak të dalë në konferencë për shtyp, madje i mbyllur në dhomën e tij së bashku me Lorenc Hysin, ka qenë drejtori teknik i klubit, Ilirjan Përmeti, që komunikoi me të dhe përgjigjja e Përmetit drejtuar mediave ka qenë: Levi nuk ka dëshirë që të dalë në media. Ky është një vendim i tiji për momentin dhe nuk di çfarë të them më shumë se kaq, pasi ai është i mërzitur me shkrimet e fundit nëpër gezeta dhe ka marrë këtë vendim.

Gugash Magani, trajner i Besës: Të them të drejtën, ne i kishim mbyllur llogaritë tona për kupë dhe sot (dje) erdhëm në Korçë thjesht për ta respektuar kompeticionin. Disa nga titullarët i lashë në shtëpi dhe sot (dje) u dhashë mundësi më shumë lojtarëve të rinj, të cilët e them me keqardhje që nuk e justifikuan aspak besimin tim. Një pjesë e këtyre lojtarëve që aktivizova sot duhet të bëjnë valixhet gati, pasi do ti largoj në janar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›