Luftëtari i thotë lamtumirë Kupës
Kastrioti pothuajse kalon në turin tjetër, pas barazimit të arritur dje në stadiumin e Gjirokastrës
Luftëtari Kastrioti 3-3
Shënues: Braho 20, 93 (11-m), Pjetrani 85 / Xhihani 48, Dragoi 61, Muçollari 77
Luftëtari: Kasma, Lazo, Këndella, Bistri, Zholi, Barho, Pjetrani, Lluka, Grabovaj, Shehaj, Kermezo (Mersini 62). Trajner: M. Hysi.
Kastrioti: A.Hoxha, Caca (Lleshi 69), Xhafa, Ognjatoviç, R.Hoxha, Tepshi, Xhihani, Dragoi, Vishaj (Sefa 46), Agolli (Muçollari 46), Alikaj. Trajner: R. Ndreu.
Gjyqtarë: Sh.Guçe, D.Koreshi, E.Prifti (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Shehaj, Këndella, Xhafa, Muçollari
Dy golat e Brahos, si njohës i thellë i Kastriotit, tek ka luajtur edhe për të, si dhe ai i brazilianit tjetër të Luftëtarit, Pjetranit, janë neutralizuar nga ata të Xhihanit, Dragoit dhe Muçollarit. Kësisoj, biletën për më tej e merr Kastrioti. Është mbajtur 1 minutë heshtje para ndeshjes për ish-portierin gjirokastrit Isuf Lulo, gjyqtarin po gjirokastrit Fiqiri Aliko, si dhe komisarin Nuri Kërcanaj po nga rrethi i Gjirokastrës, që kanë ndërruar jetë ditët e fundit.
Luftëtarit, që luan në kategorinë e parë me pretendime serioze për në superligë, iu dha mundësia të matet zyrtarisht me ekipe të superligës në kuadrin e Kupës së Shqipërisë; me Skënderbeun dhe Kastriotin. Kanë qenë 4 ndeshje, por të trija palët nuk kanë zbritur në fushë me formacionet më të mira, kështu që nuk mund të nxirret një konkluzion i saktë për vlerat në perspektivë, megjithëse për çdo sezon përbërja e ekipeve, pra dhe e Luftëtarit, ndryshon.
Luftëtari, në ndeshjet zyrtare që ka luajtur në Gjirokastër, ka realizuar 7 fitore për kampionat dhe 2 për kupë, por nuk realizoi jubilaren, të 10-tën. Në minutën e 6-të Agolli rrahu traversën e vendësve, ndërkohë që patën edhe raste të tjera krutanët. Braho gjuajti në të 11-tën, por priti A.Hoxha, ndërsa Kermezo goditi shtyllën në të majtë të portës krutane. Dhe në vazhdim të këtij aksioni Braho realizoi golin e parë.
Kasma është paraqitur mirë në disa raste, por në fillim të pjesës së dytë u kap i pavëmendshëm nga Xhihani, që qetë-qetë barazoi 1-1. Braho ka gjuajtur më pas rrezikshëm, por nuk ka shënuar. Golin e ka gjetur Dragoi në portën tjetër dhe 1-2. Në të 73-tën ka humbur rast flagrant Pjetrani, tek doli i vetëm me portierin, por ka gjuajtur jashtë. Në vazhdim Muçollari ka lëshuar një predhë nga larg dhe 1-3.
Në mënyrë analoge ka raelizuar Pjetrani golin e dytë për Luftëtarin. Në shtesë topi devijohet me dorë brenda zonës nga një lojtar i Kastriotit dhe 11-metërsh, që është kthyer në gol nga Braho. Përfundimisht, 3-3.
Trajnerët
Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: Jam i kënaqur, sepse patëm një kundërshtar superlige, por më vjen keq që humbëm shumë raste. I uroj suksese Katriotit.
Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit: Ndeshja ishte e bukur dhe me gola. Ne e vlerësuam dhe ia arritëm qëllimit. Them se jemi në rrugë të mbarë si në kupë, ashtu edhe në kampinat, ku duhet të përballojmë Kamzën. I uroj suksese Luftëtarit në kampionat, ku, me sa di, është i përqendruar.
