E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari sgjen fitoren as me Muçën, por kualifikohet më tej

Nga ELTON NIKA

Grupi B

Flamurtari      10 pik렠         6-2

Teuta              6 pikë 3-2

Kamza            6 pikë 3-4

Pogradeci       4 pikë 4-8

 

Kamza ka marrë një pikë shprese në Vlorë, ndërsa sulmi vlonjat vijon të ketë probleme, teksa edhe dje nuk ka arritur të gjejë golin

Flamurtari Kamza          0-0

Flamurtari: Moçka, Sakaj, Rajoviç, Abraham, Arbri, Brahja, Kuqi, Progni (Liçaj 90), Shtubina (Brkiç 58), Lena, Hysa (Telushi 73). Trajner: Sh. Muça.

Kamza: Haxho, F. Tafaj, Ardit Beqiri, Likmeta, Hallaçi, Belçev, Ishka (Karapici 65), Mici, E. Tafaj (Pema 46), Capa, Dalipi (Ardian Beqiri 86). Trajner: E. Gjoka.

Kartonë të verdhë: Lena, Shtubina, Ishka, Mici, Capa

Gjyqtarë: R. Sadiku, A. Mahmuti, E. Gançi (Elbasan)

Flamurtari siguron kalimin për në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, madje si i pari i grupit B, pavarësisht se ka arritur vetëm një barazim në fushën e vet përballë ekipit të Kamzës. Një ndeshje ku Flamurtari është drejtuar për herë të parë në një ndeshje zyrtare në këtë sezon nga trajneri i ri Shkëlqim Muça, por sërish pa arritur të shkojë te fitorja. Një takim që nuk është ngritur mbi nivelin mesatar të saj, ndërsa edhe rastet e regjistruara kanë qenë të pakta.

Flamurtari ka pretendimet e tij edhe për një gol të anuluar gjatë pjesës së parë, pas një goditjeje nga jashtë zonës të Lenës, por që është quajtur si pozicion jashtë loje nga gjyqtari kryesor i takimit. Flamurtari dhe Kamza e nisin mjaft të qetë takimin, ku deri në minutën e 25-të mungojnë plotësisht rastet në portat respektive. Flamurtari ka dominimin e fushës, kontrollon lojën, por në sulm gjen shumë pak hapësira.

Muça ka vendosur të ndryshojë në formacion, ku veç Hysës në vijën e sulmit, ka luajtur edhe Progni, i ndihmuar nga Lena. Ndërkohë, në mbrojtje mungon Veliu, por thjesht për tu lënë pushim për ndeshjen e kampionatit përballë Shkumbinit. Ndërkoha, Kamza duket qartë se ka ardhur në Vlorë të shkëpusë çfarë të mundë dhe luan në sulm vetëm me një sulmues si Dalipi.

Minuta e 30-të sjell një moment që ka nevojë për diskutime. Lena godet saktë nga jashtë zone dhe topi përfundon në rrjetë, por gjyqtari e ka cilësuar jashtë loje Prognin, pavarësisht se ky i fundit nuk ndikoi në lojë te goli. Në 45 minutat e dyta trajneri i Kamzës kërkon ti japë më shumë frymëmarrje sulmit, duke hedhur qysh në fillim në fushën e lojës sulmuesin Pema. Pas disa minutash edhe Muça hedh në lojë një tjetër sulmues si Brkiç.

Rastin më të mirë për të shënuar e ka Hysa, që në minutën e 50-të del i vetëm përballë portierit Haxho, por ky i fundit kryen mrekullinë, duke ndaluar gjuajtjen e sulmuesit. Përfundon 0-0 dhe Flamurtari, duke parë edhe rezultatin e takimit tjetër të grupit, e sheh veten plotësisht të kualifikuar për në turin tjetër, pavarësisht se ka edhe një ndeshje për tu luajtur. Një pikë që duket i ka vlejtur edhe Kamzës, që tashmë gjithçka për kualifikimin do ta mendojë në ndeshjen tjetër përballë Pogradecit në shtëpi.

Deklarojnë

Shkëlqim Muça, trajner i Flamurtarit: Jam i kënaqur me mënyrën e prezantimit të lojës nga ekipi. Nuk mund të pretendojmë shumë në këtë periudhë dhe, pavarësisht se nuk kemi fituar, ajo që kam dashur ka qenë pa dyshim loja e ekipit dhe ajo është për tu vlerësuar. Futbollistët u vendosën mirë në fushë, treguan se plotësuan detyrat e tyre dhe natyrisht në këtë takim nuk ishim nën presion për fitoren. Kemi çaluar ndoshta në finalizimin e aksioneve përpara portës kundërshtare, ndërsa në mbrojtje kemi luajtur shumë mirë, kur për asnjë moment nuk jemi vënë në vështirësi nga kundërshtari.

Ernest Gjoka, trajner i Kamzës: Barazimi i sotëm është i barazvlefshëm me kualifikimin dhe këtë e kemi në dorë vetë ne në ndeshjen e fundit në shtëpi përballë Pogradecit. Mendoj se kemi marrë në Vlorë atë që kemi kërkuar dhe me këtë barazim shkojmë drejt arritjes së synimit që kemi për të kaluar më tej në këtë kompeticion. Pas këtij barazimi sot (dje) ndaj Flamurtarit, unë mendoj se kemi hedhur një hap të madh përpara për arritjen e atij objektivi që kishim. A më pëlqeu loja e ekipit? Natyrisht, jam i kënaqur për këtë barazim sot dhe tashmë duhet të mendojmë për kampionatin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›