Tirana me pesë fitore radhazi, Shkumbini fiton të rinjtë
Grupi A
Tirana 15 pik렠 12-4
Laçi 8 pikë 7-4
Apolonia 4 pikë 6-12
Shkumbini 1 pikë 8-14
Bardheblutë janë hakmarrë në Kupë ndaj peqinasve, ndërsa vendësit kënaqen me aktivizimin e të rinjve dhe mendojnë vetëm për kampionatin
Shkumbini Tirana 23
Shënues: Sulkja 53, Lluca 90 \ Ferraj 9, 17, Tushe 56
SHKUMBINI: Sejdo (Ajazi 46), Asllani, Karaj, Ramazani, Salliu, E. Magani, Isaj, Balliu (A. Lundraxhiu 59), Sulkja, A. Magani, Dervishi (Lluca 18). Trajner: K. Mile.
TIRANA: Lika, Sina, Dabulla, Pisha (Dushku 57), Ahmataj, Taku, Tushe, Ferraj, Heples, G. Lika, Morina (Bala 58). Trajner: H. Rubio.
Gjyqtarë: K. Cjapi, I. Tartari, O. Grabova (Fier)
Kartonë të verdhë: E. Magani, Karaj \ Dushku
Tirana dje ka arritur të marrë revanshin për humbjen e pësuar në Peqin 10 ditë më parë në kampionat, duke fituar ndeshjen e kupës. Për Shkumbinin ishte një humbje që pritej dhe e deklaruar më parë , sepse ekipi për këtë sezon është i përqendruar vetëm në ndeshjet e kampionatit. Duke mos pasur asnjë pretendim për kupën është për tu vlerësuar veprimi i trajnerit Mile që ndeshjen e djeshme me Tiranën ia besoi futbollistëve të rinj 17-19-vjeçarë që ditën ta justifikojnë duke bërë një paraqitje mjaft të mirë në fushën e lojës.
Trajneri Mile guxoi në ndeshjen me Tiranën duke aktivizuar disa futbollistët të rinj si: Karaj, Asllani, Balliu, Isaj, Sulkja, Lluca, vëllezërit Magani dhe Lundraxhiu me një nga ekipet më të mira të kampionatit tonë. Tirana e shfrytëzoi ndeshjen e kupës për tu hakmarrë për humbjen e pësuar në kampionat dhe arriti që të fitojë me meritë takimin pa e vënë asnjëherë në dyshim.
Duke qenë një ndeshje ku rezultati nuk kërkohej nga asnjë ekip, për shkak të pozicioneve që kishin në grup të dy ekipet, ashtu siç pritej, u zhvillua një ndeshje e hapur me epërsinë e konkretizuar të Tiranës. Ekipi nga kryeqyteti kalon në avantazh dy herë me të njëjtin autorë Nertil Ferrajn. Shumë shpejt Shkumbini detyrohet të luajë pa sulmuesin Dervishi që dëmtohet për tu zëvendësuar nga Lluca që do të shënojë në fundin e takimit, si gjithmonë në ndeshjet e kupës .
Tirana shfaqet disa herë e rrezikshme me G . Likën, Morinën e Tushen, duke ditur ti shfrytëzojë hapësirat që krijohen nga pas nga mungesa e përvojës së duhur të mbrojtësve të Shkumbinit, por pa e gjetur më rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë vendasit janë më kërkues duke krijuar një epërsi të lehtë ndaj kundërshtarit, që do të konkretizohet me golin e Sulkjes në minutën e 53-të.
Janë disa veprime të bukura të sulmuesit 17-vjeçar A. Magani, që pasohet nga mesfushori Balliu dhe Likës i vjen në ndihmë shtylla pingule pas gjuajtjes së 18-vjeçarit Sulkja, që një minutë më pas korrigjon shënjestrën, duke shënuar golin nga një pozicion i vështirë. Reagimi i Tiranës është i shpejtë dhe tri minuta më pas gjen golin e tretë me gjuajtjen e bukur qendrore të Tushes.
Pas golit të tretë të Tiranës, trajneri Rubio i jep mundësi Dushkut, Balës dhe më pas Peposhit. Kur pritej që loja të përfundonte Shkumbini arrin të gjejë golin e dytë me sulmuesin Lluca që me gjuajtjen me kokë arrin të mposhtë portierin Lika, duke fiksuar rezultatin 2-3 dhe fitoren e Tiranës.
Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: Nuk kishim ndonjë objektiv për këtë takim dhe duke parë ngjeshjen e kampionatit menduam që ti japim mundësi edhe futbollistëve të tjerë. Në përgjithësi, jam i kënaqur nga paraqitja që ata bënë me Tiranën. Ne kërkojmë që ti fitojmë edhe këta futbollistë që janë aktivizuar pak për arsye të ndryshme, për të qenë të gatshëm për ekipin.E them me kënaqësi që duke i parë këta futbollistë nga ndeshja e parë në kupë me ekipin e Burrelit dhe në vazhdimësi, ata kanë pasur rritje në lojën e tyre.
Hulian Rubio Sançez, trajner i Tiranës: Ndeshjet janë të gjitha të rëndësishme dhe unë kështu i vlerësoj dhe këtë ia kërkova lojtarëve. Luajta në ndeshjen me Shkumbinin me ekipin tim të plotë, duke kërkuar që ta fitonim ndeshjen. Aktivizova të gjithë lojtarët e gatshëm, edhe pse ne ishim të kualifikuar. Vij nga një vend serioz, kur edhe Reali përpara disa ditësh me një ekip të kategorisë dytë bëri të njëjtën gjë, duke i aktivizuar të gjithë, përfshi dhe K. Ronaldon.
