E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Barazimi s’bën punë, Hungaria duhet mundur”

 

Jetmir Halilaj

Mungesa e gjatë pas një operacioni që e mbajti jashtë fushave për shumë kohë, nuk ia ka ndryshuar humorin dhe sensin e të qenit gjithnjë i drejtpërdrejtë. Thjesht, tani është pak më elegant, ose në gjuhën sportive, stërvitjet intensive të muajve të fundit, i kanë kushtuar dy apo tre kilogramë. E megjithatë, kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, ndihet në formë dhe kërkon maksimumin në dy ndeshjet e ardhshme.
Në ndeshjen e radhës luajmë kundër Hungarisë, që cilësohet jetike për të ardhmen e skuadrës tonë gjatë këtij edicioni. A është në gjendje Shqipëria që këtë radhë të bëjë hapin e madh?
Me Hungarinë është një ndeshje e vështirë, por ne mund t’ia dalim mbanë. E dimë rëndësinë e saj dhe shpresoj që të mos zhgënjejmë. Na duhet patjetër fitorja, por kjo nuk do të jetë e lehtë. Shqipëria, zakonisht has probleme në të tilla ndeshje, ndaj edhe mendoj se duhet të bëjmë kujdes. Me Maltën, që ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, nuk e arritëm dot objektivin. Megjithatë, e rëndësishme është ta fitojmë këtë takim, sepse synimi ynë është që të lëmë pas Hungarinë. Kjo skuadër ka shtatë pikë, por nëse ne fitojmë, atëherë kemi shanse që t’i lëmë pas ata. Barazimi nuk do të ishte keq, por në rrethanat që jemi, mendoj se na duhet vetëm fitorja.
Jeni kthyer pas një mungese të gjatë dhe të gjithë presin që të jeni titullar kundër Hungarisë, por në Bundesliga 1 me Hanoverin keni luajtur vetëm 3 minuta. A jeni në gjendje që ta përballoni një ndeshje të plotë?
Unë jam stërvitur me një trajner personal dhe i kam kaluar të gjitha parashikimet. Ndihem në formë shumë të mirë dhe mendoj se jam në gjendje të përballoj 90 minuta. Jam stërvitur enkas për këto dy ndeshje dhe kam bindjen se do të mund t’ia dal.
Klubi ju kërkoi që të luanit pak, ose të mos sforcoheshit shumë?
Për të qenë i sinqertë, trajneri i skuadrës së Hanoverit nuk donte fare që unë të vija për këto dy ndeshje. Megjithatë, kur bëhet fjalë për Kombëtaren dhe sidomos për dy ndeshje shumë të rëndësishme si kjo me Hungarinë dhe ajo me Danimarkën, nuk mund të mungoja.
Sulmi i Kombëtares nuk ka funksionuar si duhet. Në pesë ndeshje kemi shënuar tre gola, dy prej të cilëve një mbrojtës dhe një mesfushor...
Nuk është vetëm faji i sulmit, por edhe i mesfushës dhe i të gjithë skuadrës në tërësi. Tani që u ktheva unë me Canën, do ta forcojmë më shumë mesfushën dhe do ta ndihmojmë më shumë sulmin. Ndaj kam ardhur, të forcoj mesfushën...(qesh). Sulmi pati mundësi me Maltën të shënonte, por ajo i përket së shkuarës.
Trajneri Ari Han shpeshherë ka ndryshuar skemat e skuadrës, sidomos në repartin ofensiv, a është ky një problem për ekipin tonë Kombëtar?
Ne e njohim njëri-tjetrin prej shumë kohësh dhe e dimë sesi funksionon skuadra. Megjithatë, mendoj se grupi është i stabilizuar. Gjithsesi, për detaje më të hollësishme, mund të pyesni trajnerin, jo mua.
Shqipëria e ka të vështirë që në ndeshjet vendimtare të mund të arrijë rezultatet që do. A i druheni këtij fakti para ndeshjes me Hungarinë?
Varet nga gjendja e të gjithë skuadrës dhe sesi përgatitet ndeshja. Megjithatë, takimi me Hungarinë është paksa i ndërlikuar, se pastaj i kemi të gjitha ndeshje të lehta...(shkakton të qeshura në të gjithë sallën).
Meqë përmendët mesfushorin Hushti, me të cilin keni luajtur te Hanoveri, a keni vënë sërish ndonjë bast tjetër, sepse në ndeshjen e parë ju e humbët bastin me të?
Ia kam bërë të qartë se nëse fiton Shqipëria, do ta ketë të vështirë ta gjejë rrugën drejt Rinasit....(qesh).
Ari Han ka lënë jashtë Bogdanin dhe Kapllanin, dy sulmues, të cilët gjatë kohëve të fundit kanë qenë pikë referimi për Kombëtaren...
Të dy janë sulmues shumë të mirë dhe kanë shumë peshë në skuadër. Ata nuk kanë se çfarë të tregojnë, pasi dihet rëndësia dhe kualiteti që kanë. Unë nuk mund të përgjigjem në emër të trajnerit, sepse nuk jam unë ai që drejtoj ekipin Kombëtar. Pyetni atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›