Projektligji për artizanatin rikthen pozicionin e çirakut
Bashkë me traditën, rikthehen edhe emërtimet. Kishte kohë që emërtimi çirak nuk përdorej në fjalorin e përditshëm, përveç atyre rasteve, kur përdorej me kuptim figurativ. Por duket se ka ardhur koha që emërtimet “mjeshtër” e “çirak” të vendosen në kontekstin që u takon e të përdoren gjerësisht. Dje, në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u zhvillua një takim i posaçëm, për të diskutuar mbi artizanatin dhe mbi një projektligj që mendohet se do të mbështesë traditën e hershme shqiptare dhe vazhduesit e saj. Bëhet fjalë për projektligjin “Për Artizanatin”, i përgatitur nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, me mbështetjen e ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe palëve të tjera të interesit. Të pranishmit në këtë tryezë të rrumbullakët folën për rëndësinë e këtij projektligji në mbrojtjen e artizanëve, të traditës së artizanatit, por edhe sigurimin e tregjeve për tregtimin e këtyre prodhimeve, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë saj. Projektligji i prezantuar jep përkufizimet përkatëse për artizanatin, artizanin dhe ndërmarrjet, numrin e punonjësve, trashëgiminë e zanatit, organizimin e dhomave të artizanatit, kompetencat, regjistrimin e anëtarëve, etj. Aty përkufizohen edhe mjeshtërit e ndihmësmjeshtrit dhe kriteret që duhet të përmbushin për të marrë këto tituj. Po aty del edhe pozicioni i çirakut. Sipas projektligjit: “Çirak është personi që punon në një ndërmarrje artizane dhe mëson një zanat. Çirakët mund të shkollohen vetëm nga mjeshtrit ose personat që kanë një shkollim të barasvlershëm. Si çirak mund të pranohet vetëm personi që ka mbushur moshën 16 vjeç dhe nuk ndjek një shkollë të rregullt të sistemit kombëtar të arsimit ose nuk është regjistruar në një shkollë të lartë për të ndjekur studime të rregullta”. Kishte vite që termi çirak nuk përdorej më, madje ai gati u zhduk me vendosjen e sistemit komunist. Për brezat më të rinj, dëshmitarë të kësaj sëre shërbyesish ishin vetëm filmat e Kinostudios, që evokonin ngjarje nga lufta.