E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyrja e NATO-s, vendimi që shpëtoi shqiptarët nga spastrimi

 

Kosova kujtoi dje ndërhyrjen e forcave të NATO-s kundër ushtrisë serbe, që po kryente spastrim etnik në Kosovë, duke e vlerësuar si gjest që shpëtoi shqiptarët nga spastrimi etnik dhe pasoi me evenimentin më të rëndësishëm historik për Kosovën, shpalljen e pavarësisë.
Diplomatë vendas e deklarata nga liderë të politikës mbarëbotërore të asaj kohe dhe ikona të sotme, edhe pas shumë kritikave nga autoritetet serbe mbi këtë ndërhyrje dhe aleatët e Serbisë, e kanë vlerësuar pozitivisht hapin e hedhur, si një domosdoshmëri për t’i dhënë fund gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt ka rrëfyer në një intervistë për REL, se: “Ishte në pyetje se si do të ndalej spastrimi etnik në Kosovë. Ne vendosëm ta çonim NATO-n në një luftë të gjatë 78-ditore. Ishte shumë thelbësore, sepse bëhej në emër të lirisë për njerëzit që përndiqeshin nga shtëpitë e tyre apo që vriteshin. Me këtë u dëshmua edhe vlefshmëria e misionit të ri për NATO-n”, tha Ollbrajt, duke komentuar se për NATO-n ishin çaste suksesi në përmbushjen e misionit. “Shpresoj se shumë mësime janë nxjerrë nga fushata në Kosovë, që mund të jenë të dobishme në rajonet e tjera, siç është Afganistani. Është pjesë e rrëfimit të njëjtë të periudhës së pas Luftës së Ftohtë”, theksoi Ollbrajt. Ndërsa Volfgang Petriç, diplomat austriak, ish-përfaqësues i BE-së në Konferencën e Rambujesë, që solli ndërhyrjen e NATO-s vlerësoi se “Sikur dhjetë vjet më parë të ishte nënshkruar marrëveshja e Rambujesë, me kushtin që pas tre vitesh të kishte një zgjidhje tjetër, atëherë sot do të ishim ndoshta më përpara në rezultatet e arritura. Mendoj se Rambujeja ka qenë një shans i humbur. Kjo solli edhe ndërhyrjen ushtarake e NATO-s, e cila nuk i dha fund konfliktit, por e futi atë në një fazë tjetër”, tha ai. Kryeministri Hashim Thaçi, vlerësoi se intervenimi ushtarak i aleancës më të fuqishme ushtarake të botës, NATO-s, kundër forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe më 24 mars 1999 është ngjarje e madhe historike për Kosovën dhe botën demokratike. Thaçi thekson se populli i Kosovës do t’u jetë përgjithmonë mirënjohës vendeve Perëndimore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s, si dhe miqve kudo që janë për përkrahjen e luftës së drejtë për liri dhe pavarësi. “Përfundimi me sukses i fushatës së intervenimit të NATO-s hapi kapitull të ri në historinë e Kosovës, kapitullin e lirisë dhe ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›