Një studio psikiatrike në Teatrin Kombëtar
Alma Mile
“E bukur është Tirana, por ka shumë njerëz që flasin me vete!”. Ky ishte përshtypja e parë e një adoleshenti për kryeqytetin. Në fillim vë buzën në gaz, por ky konstatim naiv nuk të shqitet nga mendja dhe komiciteti merr nota tragjike. Dhe është pikërisht ky fenomen që ndeshet më shumë pas viteve të demokracisë, që e ka shtyrë regjisorin Gëzim Kame, të zgjedhë për të ngjitur në skenë një komedi franceze, që i përshtatet disi kësaj “sëmundjeje” në shtim. Prej pak ditësh kanë nisur në ambientet e Teatrit Kombëtar përgatitjet për premierën e re. Bëhet fjalë për një komedi bashkëkohore, të dramaturgut francez Laurent Baffi. Vepra origjinale titullohet “TOC TOC”, duke luajtur me trokitjen, por edhe me inicialet e një sëmundjeje nervore (troubles obsessionnels compulsifs), ndërsa në shqip, ajo do të vijë e përshtatur. “Doktori dhe pacientët”, mendohet të jetë titulli në shqip, ndërsa ekziston mundësia, që gjatë procesit të realizimit, ajo të ndryshojë. Kohëve të fundit, Kame është thelluar më së shumti në tema me karakter të fortë social. Mund të përmendim këtu dramën “Pjata prej druri”, por edhe komedia në skenën e Korçës, “Kohë për t’u çmendur”, merrte nxitje nga e përditshmja. Edhe komedia franceze, ka lindur si reagim i shqetësimeve të përditshme dhe Kame, ka menduar ta përshtatë atë me ambientin shqiptar. “Kohëve të fundit i jam kushtuar më shumë psikanalizës në teatër”,- thotë regjisori Gëzim Kame, duke iu referuar përmbajtjes së komedisë. “TOC TOC” është shkruar nga Baffi në vitin 2005 dhe u vu menjëherë në skenë nga një staf i mrekullueshëm artistësh francezë. Shfaqja pati një sukses të menjëhershëm dhe vazhdon të jetë në repertorin, jo vetëm të teatrit parisien, por po qarkullon edhe në shumë skena të huaja, ku dramaturgu preferon t’i ndjekë vetë shndërrimet e veprës së tij. Kjo komedi ka në qendër një grup njerëzish që vuajnë nga tike nervore, që janë me neurozë, për shkak të jetës së përditshme. Janë 6 të tillë, që bëjnë terapi në grup në një klinikë psikanalize. “Më pëlqen filozofia, që kur njeriu e njeh sëmundjen e vet, bëhet mjek i vetvetes. Por kjo, mund të shtrihet edhe më tej në një shoqëri, e cila nëse pikas problemet e veta është në gjendje t’i zgjidhë ato. Jemi popull vital dhe dimë të bëjmë kritika, por duhet të kemi vullnetin që t’i korrigjojmë”, -do të thoshte Kame në një intervistë për gazetën. Për të vënë në skenë këtë vepër, pavarësisht bashkëpunimeve me trupat kosovare, maqedonase, apo atë të Korçës, ka preferuar trupën e Teatrit Kombëtar. Ka zgjedhur disa nga aktorët më të mirë të Teatrit Kombëtar, me të cilët ka punuar edhe në veprën e tij të fundit, Puna për të vënë në skenë këtë shfaqje, sapo ka nisur dhe mendohet të jetë gati për publikun në muajin prill.
Shfaqja
Atij i duhet të përballet me njerëz nga më të ndryshmit, me një botë të çuditshme mendore. Madje kabineti i tij, ku në kënd qëndron divani i rrëfimeve të psikoanalistit, kthehet në një “shtëpi çudirash”. Doktor Sterni është specialisti më i njohur, në rang botëror, që trajton rastet e të “sëmurëve” me ide fikse, apo TOC (troubles obsessionnels compulsifs). Duke qenë i përmasave ndërkombëtare, neuro-psikiatri zhvillojnë konsulta në Francë, çdo dy, apo tre vjet dhe si rrjedhojë, ai nuk ka mundësi të vizitojë të njëjtin pacient dy herë. Kështu që në të njëjtin kabinet ndeshen njerëz që vuajnë nga paranoja nga më të ndryshmet, sigurisht të shkaktuara nga shqetësimet e përditshme. Me komedinë “TOC TOC”, shkruar vetëm 3-4 vjet më parë, Laurent Baffi zgjeroi kufijtë e famës së tij.Kjo komedi është ngjitur, jo vetëm në skenat e Francës, por është përkthyer dhe përshtatur për skena të ndryshme botërore. Është 50 vjeç dhe po gëzon famën e tij për krijimet origjinale në fushën e teatrit, kinemasë, por edhe televizionit. Gjithashtu i pëlqen të aktrojë,apo të drejtojë spektakle televizive.