“Xynthia” godet Francën, 51 viktima
E kanë quajtur stuhia perfekte për forcën me të cilën ka goditur brigjet evropiane. Numri i viktimave deri tani ka shkuar në 51, pasi stuhia “Xynthia” kaloi Francën dhe tani është drejtuar në Gjermani. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në perëndim të vendit një milion njerëz janë pa elektricitet. Në Spanjë janë regjistruar tre viktima. Një edhe në Portugali. “Xynthia” ka goditur fillimisht rajonet atlantike të Francës, por më pas është shtrirë edhe në pjesën qendrore të saj. Kjo është një nga stuhitë më të dhunshme që janë regjistruar gjatë viteve të fundit. Në Paris, janë regjistruar erëra me shpejtësi deri në 100 km/h. Kompania ajrore “Air France” ka anuluar dhjetëra fluturime në veri të Charles de Gaulle. Pas Spanjës, Francës dhe Portugalisë stuhia “Xynthia” po godet edhe Belgjikën. Në jug të vendit ka pasur erëra të forta dhe shira të rrëmbyer duke shkaktuar dëme materiale, por deri tani nuk ka pasur viktima të regjistruara. Veçanërisht janë goditur rajonet Charleroi, Liegi dhe Verviers në jug të Belgjikës ku ka pasur mijëra telefonata që raportonin rënie të pemëve, shembje të çative dhe ndërprerje të linjës elektrike. Në Bruksel është mbyllur një nga zonat e gjelbëruara më të mëdha të qytetit dhe është ndaluar hyrja për qytetarët në të gjitha parqet. Ka pasur vonesa në qarkullimin ajror në aeroportin e Brukselit. Ndërprerje të fluturimeve dhe vonesa ka pasur edhe në aeroportin e Frankfurtit.