E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça KO, Skols çon “djajtë” në finale

Mançester Junaitid në finalen e Ligës së Kampioneve.

“Djajtë e kuq” arritën të fitojnë me rezultatin 1-0 ndaj spanjollëve të Barcelonës dhe kjo u mjaftoi atyre, për të fituar një biletë që i çon në Moskë. Heroi i ndeshjes ka qenë mesfushori veteran Pol Skols, i cili në minutën e 14-të të lojës gjuajti mjaft bukur nga jashtë zonës, duke mundur portierin Viktor Valdesh. Një ndeshje me shumë emocione dhe rivalitet të fortë në fushën e lojës. Dy gjigandë të futbollit evropian, të cilët luftonin për një vend në finalen e kompeticionit më prestigjioz. Pjesa e parë e lojës ka pasur shumë ritëm dhe raste për shënim nga ana e të dyja ekipeve. Goli i shënuar nga Skols i dha një ngjyrë tjetër takimit, gjithsesi ishte i vetmi në këtë ndeshje, asnjë prej skuadrave nuk arriti të gjejë sërish rrugën e rrjetës. Një fitore e shkëlqyer e “djajve të kuq”, në një sezon që i ka të gjitha premisat për të qenë shumë i suksesshëm për djemtë e trajnerit Aleks Ferguson. Janë në krye të renditjes në kampionatin anglez dhe vetëm një ndeshje i ndan nga trofeu i Ligës së Kampioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›