E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: Jam i zhgënjyer nga gjashtë presidentët

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka cilësuar tepër pozitiv faktin që Shqipëria u rikthye në arenën ndërkombëtare.

Jetmir Halilaj

Ai vlerësoi mbështetjen e organizmave të FIFA-s dhe të UEFA-s gjatë kësaj periudhe të vështirë, por pranoi se kishte mbetur i zhgënjyer nga sjellja e disa prej anëtarëve të FSHF-së.
Shqipëria rikthehet në arenën ndërkombëtare pas 46 ditësh. Cili është komenti juaj?
Padyshim që jam i kënaqur, sepse sa më shumë të zgjaste kjo periudhë, aq më shumë dëmtohej futbolli shqiptar dhe imazhi i tij. Madje kjo periudhë zgjati shumë dhe dëmtoi jo pak futbollin tonë. Për këtë jemi të gjithë të ndërgjegjshëm.
A kishit menduar ndonjëherë se pezullimi do të zgjaste kaq shumë?
Dua të jem i sinqertë: nuk e kisha menduar se do të zgjaste kaq shumë. Duke qenë se ne njerëzit që e ndjekim nga afër futbollin dhe e dimë se çfarë dëmesh sjellin këto situata, nuk mendoja se do të qëndronim kaq gjatë të pezulluar. Megjithatë duhet ta lëmë pas këtë dhe të punojmë për të përmirësuar dhe për të rregulluar ato gjëra që e ndihmojnë futbollin.
Përveç vendimit për të na pezulluar dhe kohëzgjatjes së tij të konsiderueshme a ka pasur ndonjë gjë tjetër që ju ka befasuar gjatë kësaj periudhe?
Po, ndodhi diçka që nuk e prisja. Ose më saktë e kisha menduar, por nuk besoja se do të ndodhte vërtet.
Për çfarë bëhet fjalë?
Për sjelljen e disa prej anëtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Reagimi dhe kërkesat e disa prej drejtuesve të skuadrave në atë periudhë ishin fare të panevojshme dhe jo vetëm që nuk zgjidhnin asgjë, por tensiononin edhe më tepër situatën çka na e bënte punën edhe më të vështirë.
Meqë jemi në këtë pikë, sa ka ndikuar ajo ngjarje në marrëdhëniet tuaja zyrtare me presidentët e atyre klubeve, të cilët në një moment kërkuan edhe dorëheqjen tuaj?
Për të qenë i sinqertë në atë periudhë u ndjeva deri diku i zhgënjyer nga reagimi i tyre dhe padyshim që pati disa momente ku unë vërtet u ndjeva keq. Megjithatë nëse i referohemi marrëdhënieve zyrtare, mund të them me bindje të plotë se nuk ka ndikuar asgjë. Unë jam president i FSHF-së dhe do të përpiqem të jem gjithnjë korrekt me të gjithë anëtarët e Federatës. Kjo është bindja ime në vetvete dhe detyra ime.
Po thoni se nuk ka ndryshuar asgjë mes jush dhe G-6?
Unë jam i kënaqur që të gjithë drejtuesit e atyre skuadrave reflektuan dhe e kuptuan shumë shpejt, madje e kuptuan brenda 24 orësh se nuk ishte ajo rruga që duhej ndjekur, kështu që ndryshuan mendje. Për sa i përket marrëdhënieve të mia zyrtare me drejtuesit e atyre skuadrave mund të them se nuk ka ndryshuar asgjë. Në fund të fundit të gjithë kemi një qëllim: të punojmë për futbollin e të kontribuojmë për ta zhvilluar sa më shumë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›