E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet babai mostër: Ja si e burgosa e dhunova vajzën time

Një inxhinier elektrik 73-vjeçar ka rrëfyer se, e ka mbajtur të fshehtë të bijën e tij, të burgosur në një qilar pa dritare për 24 vjet, duke i dhënë asaj shtatë fëmijë, pasojë e abuzimeve seksuale të kryera me të.

 Ngjarja ka ndodhur në një ndërtesë dy katëshe në qytetin e vogël industrial, Amstetten. Familja mbahej në një bazament 60 metra katror. “Ky është një krim skandaloz. Nuk ka asnjë rast tjetër me të cilin të krahasohet në Austri”, tha Franz Prucher, kreu i sigurisë në Austrinë e Ulët në një konferencë per shtyp. Elisabeth Fritzl, 42 vjeçe tha se, babai i saj, Josef Fritzl, e mbylli atë në qilar në vitin 1984, e drogoi dhe e prangosi. Tre nga fëmijët e saj, me moshë 19, 18 dhe 5 vjeçare, janë mbyllur në këtë qilar bashkë me të që kur kanë lindur dhe nuk e kanë parë kurrë dritën e diellit me sy, gjë që ngre shqetësime për shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Më e madhja ishte vajzë dhe dy të tjerët djem. Viktimat po marrin trajtim mjekësor. Tre fëmijët e tjerë, dy vajza dhe një djalë u rritën nga Josef dhe gruaja e tij. Ndërsa rrëfente për izolimin e vajzës dhe ngjizjen e shtatë fëmijëve, Fritzl pranoi se, e kishte djegur trupin e fëmijës së shtatë në sistemin e ngrohjes pasi ai vdiq menjëherë pas lindjes. Fritzl, të cilin policia e përshkroi si “dinamik, urdhërues dhe autoritar”, e kishte fshehur hyrjen e qilarit pas shelgjeve dhe vetëm ai e dinte kodin sekret për derën e blinduar me beton, thanë zyrtarët. Qilari përfshinte një korridor të ngushtë, një zonë gatimi me vizatime fëmijësh nëpër mure, një dhomë gjumi dhe një banjë të vogël me dush. Burimi i vetëm i informacionit për viktimat nga bota e jashtme ishte një tv dhe një radio e vogël. Rasti u zbulua kur një vajzë 19 vjeçare u sëmur rëndë dhe u çua në spital, duke ngritur apelin e mjekëve për të kërkuar nënë e saj për historinë mjekësore të familjes. Fritzl më pas e nxori Elisabeth dhe dy djemtë nga qilari, duke i thënë gruas së tij se, “kush e kishte menduar që vajza e tij e zhdukur do të kthehej në shtëpi”. Elisabeth ka rënë dakord të japë një deklaratë, pasi policia e siguroi atë se nuk do të kishte më asnjë kontakt me të atin, i cili kishte abuzuar me të që kur ajo ishte 11 vjeçe. Rasti ka ngritur shumë dyshime se si autoritetet dhe fqinjët nuk kishin vërë re asgjë të pazakontë në shtëpinë e tmerreve. “Komuniteti në Amstetten duhet të ketë turp, ata kanë mbyllur një sy për këtë”, shkruan në editorialin e saj, gazeta austriake, Oesterreich. Ndërsa “Der Standard” shkruan se, “I gjithë vendi duhet të bëjë një pyetje për veten, se çfarë thellësisht po bëhet gabim?”. “Ky njeri ka bërë një jetë të dyfishtë. Ai kishte një familje me shtatë fëmijë me gruan e tij, kishte në qilar shtatë fëmijë të tjerë më vajzën e tij”, tha Prucher. Një pyetje tjetër është se si gruaja e Jozef, Rosemari, nuk e kishte marrë vesh se, çfarë i kishte ndodhur vajzës së saj që në vitin 1984. Besohej se ajo ishte larguar vullnetarisht pasi prindërit e saj morën një letër, ku ajo i shkruante të mos ta kërkonin më. Pasi Elisabeth u zhduk, Fritzl tha se ajo ishte bërë pjesë e një sekti dhe i kishte lënë fëmijët e saj në derën e shtëpisë. Ai e kishte detyruar Elisabetën të shkruante letrën. Psikiatri Max Friedrich, i cili u mor edhe më çështjen e Natasha Kampusch, e mbajtur në qilar për tetë vjet nga rrëmbyesi i saj po në Austri, tha se fëmijët kishin probleme me sytë dhe lëkurën për shkak të mungesës së dritës dhe se kishin nevojë për terapi traume. Natasha Kampusch ofroi ndihmë për këto viktima dhe kërkoi të fliste me ta. “E kuptoj se sa shumë e vështirë është për nënën dhe fëmijët viktima, si dhe për gruan e kriminelit për ta kaluar këtë situatë”, tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›