E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti i Fatmir Mediut, Kuvendi nis sot shqyrtimin

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të diskutojë sot në orën 12:00 kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu.

BLEDAR HOTI

Sipas burimeve pranë Kuvendit, këshilli pritet të njihet zyrtarisht me kërkesën e kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Në seancën e pasdites së djeshme, kryeparlamentarja Topalli njoftoi deputetët për mbërritjen e një kërkese të tillë. "Njoftoj seancën se ka ardhur kërkesa nga Prokuroria për procedimin penal të z.Mediu", deklaroi Topalli përpara se mbyllte seancën parlamentare. Në bazë të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, kryetari i këtij institucioni duhet të njoftojë menjëherë deputetët. "Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë", thuhet në pikën 1 të nenit 118 të Rregullores. Ndërsa në pikën dy të tij theksohet se, "deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës". Gjithashtu, po në bazë të këtij neni, deputeti ka të drejtë të paraqesë në këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga kryetari i Kuvendit, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Këshilli kryesohet nga kryetari i Kuvendit. Këshilli studion propozimet për ndryshimin e Rregullores, jep mendime për çështje të interpretimit të Rregullores, si dhe për konfliktet në lidhje me kompetencat ndërmjet komisioneve të Kuvendit.
Champions shtyn votimin
Seanca e djeshme parlamentare ka nisur me një shpejtësi rrufe për shkak se dy orë më pas ishte për t'u zhvilluar ndeshja e futbollit me përmasa botërore ajo e Ligës së Kampioneve, mes Mançesterit dhe Barcelonës. Sipas burimeve pranë Parlamentit, deputetë të ndryshëm i kanë kërkuar në rrugë informale kryetares së Kuvendit që ta mbyllin sa më shpejt seancën e mbrëmshme, për shkak të ndeshjes që pritet të niste në orën 20.45 e vlefshme për Champions League. Kjo bëri që deputetët të mos fokusohen shumë në çështjet e parashikuara në rendin e ditës, madje as të diskutojnë për problemet e paraqitura në raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës. Vetëm gjashtë deputetë kanë debatuar në lidhje me raportin e paraqitur nga Autoriteti i Konkurrencës, për shkak të ndeshjes. Ndërsa është vënë re edhe prania e pakët e deputetëve në seancën e mbrëmshme plenare. Kryetarja e Kuvendit për shkak të kërkesës së deputetëve është detyruar që të mos hedhë për votim projektligjet e parashikuara në rendin e ditës si: "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare", "Për kontrollin dhe administrimin e ujërave të balasteve dhe sedimenteve të anijeve, 2004"; projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9072, datë 22.5.2003, "Për sektorin e energjisë elektrike, të ndryshuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›