E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça e Guardiolës barazon Realin e Di Stefanos

Barcelona ka barazuar "epokën e artë" të Realit të Madridit, e cila qëndronte e paprekur që prej fundit të viteve ‘50, si skuadra që ka shënuar më shumë gola deri në këtë fazë të kampionatit. Duket se në Spanjë nuk ka asgjë që mund t‘i frenojë katalanët e drejtuar nga Pep Guardiola. Fitorja 6-0 për Vajadolid, e regjistruar të shtunën që kaloi, ishte e teta radhazi në La Liga për "blaugranat", ndërkohë që numri i golave të shënuar në dhjetë javët e para të kampionatit është plotë 34. Kjo ecuri është e njëjtë me atë të Realit të Madridit, në fund të viteve ‘50, skuadër e cila përbëhej nga emra legjendarë si Di Stefano, Pushkash dhe Xhento, që në sezonin 1959/60 shënuan të njëjtin numër golash në po kaq sfida të luajtura. Megjithatë, një aftësi të tillë për ta dërguar 34 herë sferën në rrjetë pas vetëm dhjetë takimeve, nuk e ka pasur as "skuadra e madhe" madrilene në sezonin 1989/90, që në përfundim të sezonit kishte shënuar 107 gola dhe as Barcelona e edicionit 1996/97, që gjatë një kampionati shënoi 102 herë. Sipas përllogaritjeve të gazetës iberike, "Marca", të besuarit e Guardiolës aktualisht shënojnë 3,4 gola për ndeshje dhe vetëm "merengues" e edicionit 1958/59 kanë arritur të shënojnë më shumë se ata, duke realizuar 35 gola në dhjetë ndeshjet e para në Ligën spanjolle. Disa prej goleadave të Barçës në këtë sezon janë fitoret 6-1 me Atletikon e Madridit dhe Sporting Gijon, triumfet e njëpasnjëshme 5-0 ndaj Bazelit dhe Almerias, fitorja 4-1 në fushën e Malagas dhe padyshim fitorja më e thellë, 6-0 përballë Vajadoidit. Duke "luajtur" me shifrat, përfundimi është i thjeshtë: me 28 javë të mbetura në kampionat, nëse vazhdon të realizojë kaq shumë, në fund të sezonit Barcelona do ta kalojë lehtësisht rekordin me 107 gola të shënuar në një sezon të vetëm, madje mund të vendosë një primat të vështirë për t‘u arritur nga çdo skuadër tjetër. Merita për ndërtimin e kësaj "makinerie golash" i përket trajnerit Pep Guardiola, emërimi i të cilit kishte ngritur shumë dyshime, në momentin kur zëvendësoi Frenk Rajkard. Megjithatë, legjenda e katalanëve, Johan Krujf, beson se 37-vjeçari do të ringrejë krenarinë e klubit, duke kombinuar futbollin spektakolar me rezultatet pozitive. "Guardiola ka bërë një punë shumë të mirë, duke ecur hap pas hapi dhe duke bërë ato gjëra që mendon se janë të drejta", tha ai. "Është një kënaqësi ta shohësh në drejtimin e Barcelonës. Njerëzit si Pep nuk mendojnë vetëm të fitojnë, por edhe t‘u dhurojnë tifozëve spektakël dhe kjo na bën krenarë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›