Mesfushori Blerim Xhemaili, "ari" zviceran i Torinos
U afrua te Torino në orët e fundit të merkatos dhe pas një fillimi jo të mirë të sezonit u shndërrua në lojtarin më të rëndësishëm të Torinos. Ngritja e skuadrës së drejtuar nga tekniku De Biasi ka ardhur edhe për shkak të formës së shkëlqyer të Blerim Xhemailit. Shqiptaro-maqedonasi me pasaportë zvicerane e konfirmoi këtë gjatë sfidës së fundjavës me Palermon. Me dy shtylla të goditura dhe shumë volum loje, ai ishte lojtari më i mirë në fushë. Tashmë, 22-vjeçari po e shijon momentin e mirë: "Torino është qyteti dhe skuadra perfekte për mua, jam afër familjes dhe të fejuarës", tha mesfushori. "Luajtëm mirë përballë Palermos, skema 4-4-2 funksionoi dhe kjo është mënyra e lojës që më pëlqen, pasi në këtë mënyrë mund të ndihmoj më shpesh sulmin. Nëse nuk shënoj, nuk zbavitem". Por, padyshim që më i kënaquri është presidenti Kairo, i cili synon të blejë edhe gjysmën tjetër të kartonit të Xhemailit nga Bolton, me vlerë 2 milionë euro.