Suarez, Messi i Liverpoolit (video)

Menaxheri i Liverpoolit, Brendan Rodgers e krahasoi sulmuesin e tij Luis Suarez me yllin e Barcelonës, Lionel Messi. Suarez realizoi një gol të bukur në barazimin 1-1 me Newcastle Unitedin të dielën në Anfield Road.
Rodgers ka lavdëruar paraqitjen e uruguaianit dhe rëndësinë e tij për Liverpoolin e krahasoi me atë të Messit te Barcelona. “Ai e luan rolin e rremë të numrit 9 sikurse Messi te Barcelona ku lëviz lirshëm dhe i mundëson të tjerëve të inkuadrohen pas tij. Goli i Suarezit ishte fantastik. Ai është sulmues i klasit botëror”, deklaroi Rodgers për Sky Sports News.
Suarez ishte rreziku kryesor për mbrojtjen dhe mesfushën e Newcastles pasi me lëvizjet e tij të pandalshme i shkaktoi telashe kundërshtarit. Qendërmbrojtësi Fabricio Coloccini u përjashtua në minutën e 84-të pas një ndërhyrjeje ndaj Suarezit, i cili ka shënuar shtatë gola në nëntë ndeshjet e tij të fundit në ligë.